
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka thirrur një tjetër mbledhje të kryetarëve të Grupeve Parlamentare, e cila pritet të mbahet të hënën. Kjo është mbledhja e tretë që Peleshi thërret me drejtuesit e grupeve, ndoshta në një përpjekje, për t’i hapur rrugën konstituimit të konferencës së kryetarëve, e cila përbëhet kryesisht nga drejtuesit e komisioneve parlamentare.
Me miratimin e rregullores së re, në Kuvendin e Shqipërisë funksionojnë 11 komisione të përhershme, 4 prej të cilave drejtohen nga opozita. Por kjo e fundit nuk ka depozituar ende në Kuvend emrat që do të drejtojnë këto komisione, edhe pse në një mbledhje të Grupit Parlamentar janë miratuar 4 drejtuesit. Dhe po kështu nga opozita janë përcaktuar edhe 7 emrat që do të mbajnë pozicionet e nënkryetarëve në Komisionet Parlamentare që drejtohen nga socialistët.
Por, opozita ka miratuar edhe një qëndrim politik: kërkon shkarkimin e Niko Peleshit si Kryetar i Kuvendit duke e akuzuar atë se ka shkelur Rregulloren dhe Kushtetutën. Tonet u ashpërsuan pas seancës së fundit, e cila zgjati vetëm 25 minuta, dhe pa debat, u miratua përbërja e kabinetit qeveritar dhe programi i Qeverisë, një rast i paprecedentë, në 35 vitet e pluralizmit shqiptar.
Tensionet në sallë kulmuan në momentin që Edi Rama, ndoshta me një skenar të parapërgatitur, i dha fjalën ministres ‘Diella’, veprim ky që acaroi opozitën, dhe deputetë të saj,hodhën broshurat e Rregullores së Kuvendit, në drejtim të vendeve ku qëndronte Kryeministri dhe ministrat.
Kjo u pasua nga një kërkesë e deputetëve të PS-së për të ndërmarrë masa disiplinore ndaj kolegëve të opozitës, që sipas tyre bllokuan vijimin normal të seancës. Dhe një nga emrat që është ndëshkuar duke iu ndaluar pjesëmarrja në punimet e Kuvendit është kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.
Ndoshta Peleshi me mbledhjen e thirrur me kryetarët e Grupeve Parlamentare do të synojë të ulë tensionet, ndërsa opozita një nga kërkesat e saj, ka ripërsëritjen e seancës së të enjtes, ditë kur u miratua Qeveria dhe programi i saj, por edhe shkarkimin e Kryeparlamentarit, i zgjedhur në 11 shtator.
Lini një Përgjigje