Berisha ka mbledhur sot Kryesinë e partisë për herë të parë pas humbjes në zgjedhje, teksa deputetët që nuk u rizgjodhën në 11 Maj janë përjashtuar nga takimi.
Partia Demokratike ka mbledhur sot në selinë blu Kryesinë, për herë të parë që nga zgjedhjet e 11 Majit.
Të pranishëm në mbledhjen janë deputetë dhe ish-deputetë të PD, mes të cilëve edhe Ervin Salianji, i cili po merr pjesë për herë të parë që nga lirimi nga burgu.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se forca e tij politike do të shkojë në Parlament, pavarësisht se nuk njeh zgjedhjet duke hedhur poshtë kështu skenarin e bojkotit.
“Nuk është një variant, po u them demokratëve që mendojnë të mos futemi në Parlament. Jo, nuk është më mirë. Në një diktaturë, duhet të falënderosh zotin që të jep mundësinë ta luftosh atë. Në këtë diktaturë, e pëson si Salianji, por nuk mund ta mohojmë që mundësitë për ta luftuar janë. Dhe kërkohet angazhim e përkushtim shumë më i madh, nga secili prej nesh”, tha Berisha në mbledhjen e kryesisë së PD.
Berisha vijoi me akuza, kur tha se “punonjësit e shtetit i emëron partia shtet”.
“Të nderuar zonja dhe zotërinj dhe të dashur qytetarë që nga ndiqni, nga 220 mijë rrogëtarë të këtij shteti, nga presidenti i republikës te punonjësi më i thjeshtë, vetëm 2 mijë prej tyre nuk janë emëruar apo zgjedhur nga partia shtet. 218 mijë në një përqendrim pra pothuaj total, i përkasin partisë shtet, partisë së krimit.
Nuk ka përqendrim më të lartë pushteti në një diktature autokratike se sa ky.”, tha ai.
Kryesia e PD-së numëron 18 anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i demokratëve dhe 15 anëtarë ex officio, për shkak të pozicioneve që kanë mbajtur në komisionet parlamentare gjatë legjislaturës së kaluar.
Prej anëtarëve ex officio të cilët nuk u zgjodhën deputetë Helidon Bushati, Dhurata Çupi, Zheni Gjergji dhe Ferdinand Xhaferraj nuk janë thirrur në mbledhjen e sotme të kryesisë.
Në takimin e demokratëve është i pranishëm edhe Bardh Spahia, i cili është shfaqur me paterica, pas një incidenti të ndodhur disa ditë më parë.
Siç shihet edhe në foto, në mbledhje është janë të pranishëm deputetë si Agron Gjekmarkaj, Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Ina Zhupa, Edi Paloka, Belind Këlliçi, Luçiano Boçi, e të tjerë.
Në mbledhjen e Kryesisë, PD do të diskutojë mbi vendimarrjen e saj në lidhje me qëndrimet e opozitës ndaj rezultatit të zgjedhjeve dhe zhvillimet politike në vend. Pas fjalës së Sali Berishës, pritet që diskutimet të zhvillohen me dyer të mbyllura.
Më herët eksponentë të PD-së kanë thënë se forumet e partisë si Kryesia dhe Këshilli Kombëtar do të jenë ato që do të vendosin edhe për vijueshmërinë e aksionit opozitar.
Lini një Përgjigje