
Politologu Ermal Hasimja ka deklaruar se është informuar në mënyrë informale se emri i tij po diskutohet si kandidat potencial i opozitës për zgjedhjet e 9 nëntorit për Bashkinë e Tiranës.
Ai u shpreh se nuk ka kërkuar personalisht që emri i tij të përfshihet në listë, teksa shtoi se kishte propozuar 5-6 kandidatë të tjerë.
“E dija në mënyre informale që është diskutuar për emrin, por nuk është se kam kërkuar unë që të më futet emri në lista. Përkundrazi, kur më kanë pyetur, kam dhënë emrat 5-6 kandidatëve të tjerë, pasi nuk kam qenë i përgatitur. Unë sot duhet të isha nisur në Francë, pasi nuk e dija që do të përflitesha si kandidatit. Gjithsesi janë edhe emra të tjerë në lista”, tha Hasimja.
Ai deklaroi se nuk është ftuar akoma dhe se nuk është informuar ende zyrtarisht.
“Nuk jam ftuar akoma. kam përshtypjen se është një proces konsultimi brenda Partisë Demokratike dhe asaj të Mundësisë, se janë të dyja të përfshira. Për aq kohë sa nuk më është thënë asnjë gjë zyrtarisht dhe unë nuk kam dhënë ndonjë përgjigjen time”, u shpreh Hasimja për “Report Tv”.
Ai vijoi duke thënë se në momentin që do t’i komunikohet zyrtarisht sfida zyrtare, do të negociojë me drejtuesit e opozitës për kushtet. Po ashtu, tha se shanset që opozita ka për të fituar zgjedhjet është që të dalë me një kandidat që merr vota edhe nga elektorati gri.
“Më thënë të drejtën nuk jam brenda politikës, por e njoh mirë si fushë. Për shkak të formimit tim që jam politolog dhe ndjekës i asaj se çfarë ndodh në Shqipëri. Prandaj duhet parë nëse do të kemi ndonjë gjë konkrete, pasi nuk kam qenë i përgatitur për këtë gjë.
Në qoftë se më propozohet kjo lloj sfide, e cila është një sfidë e vështirë, atëherë bashkë me propozimin duhet të jetë edhe pjesa e angazhimit që mbështet këtë lloj propozimit. Se propozimi nuk është pyetja a pranon apo jo të jesh kandidat? Propozimi është që a pranon që të jesh kandidatë në këto kushte të caktuara dhe me këtë angazhim të caktuar.
Unë e kam përpara mendimin tim si politolog, se situata politike pas zgjedhjes së fundit, është që nëse opozita do rezultat, duhet që opozita është e bashkuar dhe të ketë një kandidat që të marrë jo vetëm votat e opozitës, por edhe të elektoratit gri. Ky ka qenë qëndrimi im para se emri im të futej në këtë diskutim”, përfundoi Ermal Hasimja.
Lini një Përgjigje