
Protesta e 30-të antiqeveritare vijoi këtë të hënë para godinës së Kryeministrisë, ndërsa një pjesë e protestuesve u rikthyen në Universitetin Politeknik për të rimarrë banderolën që u hoq nga rojet e sigurisë.
Pas përplasjes me efektivët e sigurisë, qytetarët arritën ta rimarrin banderolën me mbishkrimin "Ju erdhi fundi! Shqipëria nuk është në shitje", të cilën paralajmëruan se do ta rivendosin sërish.
Ndërkohë, pjesa tjetër e protestuesve mbeti para Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalimet kryesore të tubimit.
Mes tyre ishte gazetari Klevin Muka, i cili doli në podium me një bidon bosh uji në dorë, duke e përdorur si simbol të mungesës së një prej shërbimeve më bazike në vend.
"Këtu jam me një simbolikë, me një bidon uji bosh. Dua t’i kthej një përgjigje atyre që thonë pse dilni në protestë. A ju kujton gjë shprehja 'erdhi uji'? Kemi 36 vite që bredhim me bidona nëpër duar që të mbushim ujë, kur jemi vendi i dytë për burime ujore në Europë. Sa të paaftë kanë qenë kjo kastë politike për të siguruar gjërat esenciale? Pas 36 vitesh flasim ende për ujin e pijshëm", tha ai.
Më pas, ai e zhvendosi fokusin te çmimi i karburanteve, duke akuzuar klasën politike për korrupsion dhe keqmenaxhim.
"Ndaj është shumë e rëndësishme t’i themi mjaft dhe boll këtyre që i kanë pirë gjakun këtij kombi duke mos garantuar gjërat më bazike si uji i pijshëm, ndërkohë që jemi vendi i vetëm në rajon që kemi resurse dhe burime nafte dhe vendi që kemi naftën më të shtrenjtë në rajon sepse këta na vjedhin kudo! Nuk shitet gjaku ynë, gjaku i dëshmorëve për një rrogë!", u shpreh gazetari.
Në fund të fjalës së tij, Muka u bëri thirrje qytetarëve të mos tërhiqen nga protesta, duke e lidhur atë me të ardhmen e brezave të rinj.
"Ndoshta do keni një pjatë më shumë në tavolinë, një makinë më të mirë, por asgjë nuk ka kuptim kur nuk keni identitet! Dhe një mesazh të fundit, këtu ndahet historia. Nëse fëmijët tanë do jenë qytetarë të botës, sheshi këtu do e përcaktojë! Për ata që pyesin kur do përfundojnë protestat, do përfundojnë kur të fitojmë ne këtu!", deklaroi ai.
Fjalën e mori edhe aktivisti Edison Lika, i cili tha se protesta ka tronditur sistemin politik të ngritur ndër vite.
"Protesta goditi në zemër sistemin e vjetër. I ka dhënë goditje establishmentit politik, mediave të kapura dhe oligarkëve që e kanë mbajtur në pushtet", u shpreh ai.
Protesta e kësaj të hëne shënoi ditën e 30-të radhazi të mobilizimit qytetar, ndërsa kërkesa kryesore e organizatorëve mbetet dorëheqja dhe hetimi i kryeministrit Edi Rama. Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit pritet të vijojnë marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Lini një Përgjigje