“Kryefjala e vizitës sime sot në Tiranë është strategjia dhe unifikimi i politikës së jashtme mes Shqipërisë dhe Kosovës”.
Kështu ka deklaruar ditën e sotme në fjalën e saj Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në pritjen zyrtare nga presidenti Bajram Begaj.
“Përderisa politikës e Serbisë po sfidon integritetin territorial të Kosovës, ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë dhe aleatëve. Koordinimi me miqtë dhe aleatët është parakusht për suksesin tonë.
Dialogu me Serbinë është duke vazhduar, por rruga e vetme që sjell është paqe, është kur rezultati përfundimtar është njohja reciproke. Jemi dy shtete, por rruga jonë është vetëm një, euroatlantike” tha më tej Osmani.
Osmani është shprehur gjithashtu se si asnjëherë më parë, Kosova e pavarur po përballet me sfidën më të madhe, me kërcënime për sigurinë e kombit.
Në fjalën e saj për mediat, Osmani tha se Serbia, është një fqinj agresiv që vazhdon me logjikën për të zhdukur nga faqja e dheut të Kosovës.
“Po përballemi me sfidimin më të madh të sigurisë, e them se kur kemi përballje me sfida të tilla, agresion të përditshëm nga ana e një fqinji agresiv që vazhdon me logjikën e zhdukjes tonë nga faqja e dheut, është detyrim që interesat kombëtare të jenë para së gjithash.”, tha Osmani.
E parë në këtë prizëm, presidentja tha se nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria dhe Kosova kanë një qëllim të përbashkët, ajo që mund t’i ndryshojë është strategjia.
“Nuk kam asnjë dyshim që qëllimin e kemi të përbashkët, nëse ndonjëherë kemi ndryshim në strategji, duhet të ulemi si një familje, sepse ne jemi si një familje. Edhe ndonjë moment i vogël kalohet, pa ndonjë problem të madh”, tha Osmani.
E pyetur si do të ndikojë kjo vizitë në “shkrirjen e akujve” mes dy qeverive Rama-Kurti, Osmani tha se mes dy vendeve nuk ka asnjëherë moment të keq.
“Kur kemi agresion të përditshëm institucional dhe të sigurisë nga një fqinj agresiv që vazhdon me logjikën e zhdukjes sonë nga faqja e dheut, atëherë duhet që të flasim me një zë dhe të unifikuar.” tha ajo./Pamfleti
Lini një Përgjigje