Pas dy javësh me një kalendar intensiv dhe ndeshje të shumta çdo ditë, Kupa e Botës 2026 po hyn në një etapë të re të garës. Me përfundimin e fazës së grupeve, turneu kalon në fazën eliminatore, ku çdo takim do të jetë vendimtar për vazhdimin e rrugëtimit drejt trofeut.
Ndryshe nga ritmi i deritanishëm, kur tifozët kishin mundësinë të ndiqnin deri në katër ndeshje në ditë, e diela do të ketë vetëm një përballje në program. Ky ndryshim vjen si pasojë e kalimit në raundin e 32 skuadrave, një risi e formatit të zgjeruar të Kupës së Botës, e cila për herë të parë zhvillohet me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve.
Ndeshja e parë e fazës eliminatore do të luhet të dielën, më 28 qershor, në stadiumin SoFi në Kaliforni, ku Kanadaja do të përballet me Afrikën e Jugut. Takimi nis në orën 21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore dhe do të hyjë në histori si sfida e parë e fazës me eliminim direkt në formatin e ri të turneut.
FIFA ka zgjedhur një kalim gradual nga faza e grupeve në atë eliminatore, duke programuar vetëm një ndeshje të dielën. Sipas organizatorëve, kjo u mundëson skuadrave më shumë kohë për udhëtime, rikuperim fizik dhe përgatitje për sfidat vendimtare. Turneu do të vijojë të hënën me një tjetër përballje, ndërsa më pas kalendari do të rikthehet me dy ose tre ndeshje në ditë.
Ndryshimi është veçanërisht i dukshëm pas dy javëve të para të kompeticionit, kur ndeshjet zhvilloheshin me një ritëm të lartë. Për tifozët evropianë, shumë prej tyre u luajtën në orët e vona të mbrëmjes ose gjatë natës.
Faza e eliminimit direkt shënon nisjen e ndeshjeve ku çdo gabim mund të rezultojë fatal, ndërsa çdo fitore afron ekipet një hap më pranë finales së Kupës së Botës
Lini një Përgjigje