Politike 5 Shtator 2023, 08:28

Përplasjet në PD, Bardhi mbledh sot deputetët e opozitës, i bashkohet grupi i Berishës; Basha takim me Kolegjin e Kryetarëve

Shkruar nga Pamfleti

Përplasjet në PD, Bardhi mbledh sot deputetët e opozitës, i

Përplasja në Partinë Demokratike vijon, ndërsa sot deputeti Gazment Bardhi ka thirrur një takim me të gjithë deputetët e opozitës. Bardhi vijon të shpërfillë vendimet e Kuvendit Kombëtar, ndërsa duke e cilësuar veten si kreun e grupit parlamentar, ka thirrur sot një takim me deputetët me qëllimin për të unifikuar aksionin opozitar.

Sipas tij, synimi i këtij takimi është unifikimi i forcave në Parlament në sesionin e ri parlamentar. Në nisje të seancës plenare, Bardhi deklaroi se Shqipëria kë nevojë për një opozitë funksionale.

Bardhi tha se edhe Basha është i ftuar në takim, në rast se ka ambicie për të qenë kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së.

“Kam thirrur në takim të gjithë deputetët e koalicionit Aleanca për Ndryshim e vitit 2021. Patjetër edhe Basha është i ftuar në mesin e 59 deputeteve që e kanë këtë ftesë. Le të vijë në rast se ka edhe ambicie për të qenë kryetar grupi”, u shpreh Bardhi.

Takimi do të mbahet në orën 12:00 në Hotel Tirana, ndërsa pjesa e parë do të jetë e hapur për mediat. Thirrjes së Bardhit i janë përgjigjur pozitivisht grupimi i deputetëve të Sali Berishës, si edhe vetë ish-kryeministri konfirmoi se do të jetë i pranishëm. Po ashtu takimit do t’i bashkohen edhe aleatët që kanë dalë nga lista e aleancës PD-AN. Përflitet se në mbledhje do të marrin pjesë edhe deputetët e Partisë së Lirisë.

Ndërkohë që ashtu siç pritej, takimin do ta bojkotojnë deputetët e Lulzim Bashës. Basha ka thirrur një takim me Kolegjin e Kryetarëve në orën 11:00. Ky është takimi i parë që Basha bën me Kolegjin që pasi u rizgjodh në krye të Partisë Demokratike.

 

bardhi basha berisha opozita takim