
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë në Samitin Ukrainë–Evropa Juglindore, të zhvilluar në Kiev, si dhe në ceremonitë me rastin e Ditës së Shtetformimit të Ukrainës.
Gjatë samitit, kreu i shtetit riafirmoi mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin, integritetin territorial, rimëkëmbjen dhe integrimin evropian të Ukrainës.
“Shqipëria ka qenë e qartë dhe e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën. Ne qëndrojmë në mbështetje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit tuaj territorial brenda kufijve tuaj të njohur ndërkombëtarisht. Gjithashtu, mbështesim arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme, që respekton Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat legjitime të popullit ukrainas”, deklaroi Presidenti Begaj.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit për sigurinë dhe qëndrueshmërinë përballë kërcënimeve të përbashkëta, mbështetjen për rindërtimin e Ukrainës dhe avancimin e integrimit evropian të saj, duke e cilësuar zgjerimin e Bashkimit Evropian si një investim strategjik për paqen dhe stabilitetin.
Në prani të liderëve të vendeve të Evropës Juglindore dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Begaj u shpreh se mbështetja ndaj Ukrainës duhet të shoqërohet me veprime konkrete.
“Mbështetja jonë, theksoi Presidenti Begaj, duhet të shkojë përtej deklaratave. Ajo duhet të përkthehet në bashkëpunim praktik. Kjo është arsyeja pse Samiti i sotëm ka rëndësi. Ai na lejon të forcojmë koordinimin politik, të thellojmë solidaritetin rajonal dhe të identifikojmë fusha konkrete për veprim të përbashkët”, tha Presidenti.

Samiti u mbyll me një deklaratë të përbashkët, ku liderët riafirmuan mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe e cilësuan sigurinë e saj si pjesë të sigurisë së gjithë kontinentit evropian.
Gjatë ceremonive për Ditën e Shtetformimit të Ukrainës, Presidenti Begaj vlerësoi qëndresën e popullit ukrainas përballë luftës.
“Në këtë ditë solemne, le të nderojmë gjithashtu guximin e popullit ukrainas – ushtarëve, civilëve, familjeve, mjekëve, mësuesve, ekipeve të shpëtimit dhe vullnetarëve, të cilët vazhdojnë të dëshmojnë një forcë të jashtëzakonshme përballë vuajtjeve. Qëndrueshmëria e tyre është frymëzim për të gjithë ata që besojnë te liria dhe drejtësia”, u shpreh Presidenti i Republikës.
Në kuadër të vizitës në Kiev, Begaj zhvilloi edhe një takim kokë më kokë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Dy liderët diskutuan forcimin e bashkëpunimit dypalësh, mbështetjen për Ukrainën në procesin e rimëkëmbjes, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik, si edhe mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve të reja.
Në përfundim të takimit, Presidenti Begaj rikonfirmoi solidaritetin e plotë të Shqipërisë me Ukrainën dhe angazhimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Lini një Përgjigje