Nga Zagrebi në Tiranë: kur kryeministri përfundoi në pranga, dyert e BE u hapën

Njëzet e tetë muaj ndajnë përplasjet e Zagrebit nga anëtarësimi i Kroacisë në BE. Historia e fundit e zgjerimit europian tregon se pengesa për Brukselin nuk ka qenë kurrë turma në shesh, por një kryeministër i paprekshëm...
Zagreb, 26 shkurt 2011. Disa qindra protestues tentojnë të arrijnë te sheshi Shën Marku, aty ku ndodhet selia e qeverisë kroate. Policia i pret me kordon dhe shkopinj. Në fund të ditës numërohen 33 të lënduar dhe 58 të ndaluar, mes tyre të paktën një gazetar. Qeveria e Jadranka Kosorit kishte ndaluar tubimet para Parlamentit dhe para selisë së qeverisë. Zyrtarët flisnin për huliganë që sulmojnë shtetin, opozita kërkonte distancë nga dhuna. Kushdo që ka parë sheshet e Tiranës këto pesë javë e njeh mirë këtë skenë.
Njëzet e tetë muaj më vonë, më 1 korrik 2013, flamuri kroat u ngrit para institucioneve të Brukselit dhe Kroacia u bë anëtarja e 28-të e Bashkimit Europian. Asnjë kancelari europiane nuk e kujtoi gazin lotsjellës të shkurtit 2011 si arsye për ta mbajtur jashtë. Çfarë ndodhi mes atyre dy datave përbën përgjigjen më të saktë që ekziston ndaj tezës se protesta e gjatë popullore e largon një vend nga Europa.
Kroacia e fillimit të 2011-ës ishte një vend i lodhur. Ekonomia ishte tkurrur me 1.4 për qind gjatë vitit 2010, papunësia kishte kapur 19.6 për qind dhe sindikatat llogaritnin rreth 70 mijë punonjës që punonin pa marrë pagë. Mbi këtë varfëri rëndonte një bindje edhe më e hidhur: pasuria e vendit ishte ndarë brenda një rrethi të ngushtë rreth pushtetit. Dy muaj para protestave, më 10 dhjetor 2010, ish-kryeministri Ivo Sanader ishte arrestuar në Austri me urdhër ndërkombëtar. Njeriu që kishte drejtuar Kroacinë nga 2003 deri më 2009, që kishte hapur vetë negociatat me BE-në dhe që pritej si burrë shteti nëpër samitet europiane, po fotografohej tani në pranga.
Protestat nisën më 22 shkurt 2011. Thirrjen nuk e bënë partitë; ajo u përhap në internet, nga qytetarë pa emër dhe pa strukturë, dhe njerëzit dolën çdo ditë, javë pas jave. Nuk kishin as lider, as foltore, as flamur partie. Marshonin nëpër qendër të Zagrebit dhe ndaleshin me radhë para të gjitha adresave të pushtetit: para qeverisë, para bankave, para shtëpive të politikanëve dhe para selive të partive. Të gjitha partive. Turma e Zagrebit brohoriste njësoj kundër qeverisë dhe kundër opozitës, sepse i shihte të dyja si pjesë të të njëjtit sistem që kishte prodhuar Sanaderin. Më 6 mars mbi 8 mijë njerëz mbushën qendrën e kryeqytetit në demonstratën më të madhe të asaj vale. Pushteti u përgjigj ashtu siç përgjigjet çdo pushtet i kapur në befasi: i quajti protestuesit huliganë, i akuzoi për dhunë, u kërkoi të prisnin zgjedhjet.
Përgjigjja e Brukselit
Pikërisht këtu historia merr drejtimin që sot askush në Tiranë nuk dëshiron ta tregojë. Katër muaj pas përplasjeve të shkurtit, më 30 qershor 2011, Bashkimi Europian mbylli zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Kroacinë. Negociatat nuk u pezulluan e as u ngrinë në pritje të qetësisë; u mbyllën me sukses dhe vendi u shpall gati për anëtarësim, ndërsa qytetarët e tij vazhdonin të dilnin në rrugë kundër qeverisë së vet.
Brukseli nuk po shpërblente qeverinë e Zagrebit, po shpërblente diçka tjetër: institucionet kroate kishin filluar të haheshin me elitën e tyre. USKOK, prokuroria e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e krijuar pikërisht si kusht i rrugës europiane, kishte hetuar dhe arrestuar njeriun më të fuqishëm të dekadës. Në nëntor 2012 Sanader u dënua me dhjetë vjet burg, dënim që më pas u ul në tetë vjet e gjysmë. Gjykata dëgjoi si drejtuesi i kompanisë hungareze MOL, Zsolt Hernádi, i kishte premtuar 10 milionë euro ryshfet në këmbim të kontrollit menaxherial mbi INA-n, kompaninë shtetërore kroate të naftës, dhe si Sanader kishte marrë komision nga banka austriake Hypo Alpe Adria. Në sallën e gjyqit u përshkruan orët e tij luksoze, vilat dhe koleksioni i arteve, pasuri që asnjë pagë shtetërore kroate nuk mund t'i justifikonte. Një proces paralel solli diçka pa precedent në historinë e zgjerimit europian: vetë partia në pushtet, HDZ, u dënua penalisht si person juridik për financim të paligjshëm përmes skemës Fimi Media. Një vend po hynte në BE ndërsa drejtësia e tij dënonte partinë që e qeveriste.
Peshën e këtij precedenti Brukseli e ktheu në rregull të përhershëm. Pikërisht nga përvoja kroate, BE-ja krijoi për herë të parë Kapitullin 23, atë për gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore, dhe e vendosi në zemër të çdo negociate të ardhshme. Çdo vend kandidat i Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, negocion sot nën arkitekturën që lindi nga rasti Sanader. Kushti në themel të asaj arkitekture është një i vetëm: Europa nuk pranon vende ku pushtetarët janë të paprekshëm. Nga vendet ku populli kërkon llogari nuk është trembur asnjëherë.
Protestat e Zagrebit nuk e rrëzuan qeverinë në rrugë; e rrëzuan nëntë muaj më vonë, në kutinë e votimit. Më 4 dhjetor 2011 partia e Sanaderit dhe e Kosorit pësoi humbjen më të rëndë të historisë së saj dhe pushteti ndërroi duar. Pesë ditë më pas, më 9 dhjetor 2011, qeveria e re nënshkroi në Bruksel Traktatin e Anëtarësimit. Në referendumin e janarit 2012, 66.27 për qind e kroatëve votuan pro hyrjes në BE. Shumë prej tyre ishin të njëjtët njerëz që një vit më parë qëndronin përballë kordonëve të policisë. Kundërthënie këtu nuk kishte: njerëzit nuk kishin protestuar kundër Europës, por kundër atyre që e trajtonin shtetin si pronë private. Rruga drejt Brukselit dhe rruga e protestës ishin e njëjta rrugë.
Pasqyra shqiptare
Tridhjetë e katër ditë me radhë, qytetarët në Tiranë mblidhen çdo mbrëmje në shesh dhe marshojnë drejt kryeministrisë. Lëvizja lindi nga një copë tokë buzë detit, nga kundërshtimi ndaj një resorti në lagunën e Zvërnecit, dhe u rrit në diçka shumë më të madhe, ashtu si protestat e Zagrebit lindën nga pagat e papaguara dhe u kthyen në gjyq publik ndaj një sistemi të tërë. Edhe këtu turma nuk njeh lider dhe nuk pranon pronarë: brohoritjet e saj godasin njësoj qeverinë e Edi Ramës dhe opozitën e Sali Berishës, ashtu si turma e Zagrebit ndalonte para selive të të gjitha partive. Edhe fjalori i pushtetit është i njëjtë me atë të Zagrebit të 2011-ës: dhunues, të paguar, dorë e huaj. Kryeministri ka deklaruar se "populli është ai që flet kur vijnë zgjedhjet".
Kroacia e ka dhënë përgjigjen për këtë fjali. Populli kroat foli dy herë, më parë në rrugë e pastaj në zgjedhje, dhe Europa e dëgjoi të dyja herët. Një vend nuk vonohet drejt Brukselit nga zhurma e sheshit, por nga heshtja e prokurorive. Kroacia nuk hyri në BE megjithëse burgosi kryeministrin e vet; hyri sepse e burgosi. Rruga kroate ia lë sheshit të Tiranës edhe një mësim tjetër: guri i hedhur mbeti atje punë e pak vetëve dhe u dënua nga të gjithë, ndërsa forca e vërtetë e lëvizjes qëndroi te numri, te këmbëngulja dhe te vota që erdhi pas saj. Sistemet nuk rrëzohen nga një natë zemërimi; rrëzohen nga një popull që nuk lodhet.
Historia më e fundit e zgjerimit europian, e vetmja që ka ndodhur pas vitit 2007, mban një datë dhe një emër: 1 korrik 2013, Kroacia. Një histori që nis me gaz lotsjellës para një parlamenti dhe përfundoi në tryezën e Bashkimit Europian. /Pamfleti
Lini një Përgjigje