TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Korrik 2026, 18:39

Diaspora "ndez" sheshin Skënderbej, mijëra persona kërkojnë largimin e Edi Ramës

Shkruar nga Pamfleti

Diaspora "ndez" sheshin Skënderbej, mijëra persona

Pjesëmarrja e diasporës i ka dhënë një dimension mbarëkombëtar protestës, me shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme të Europës për t'iu bashkuar tubimit në kryeqytet.

Sheshi Skënderbej ka nisur të mbushet me qytetarë, teksa këtë të shtunë mbahet protesta e 35-të kundër qeverisë. Edhe pse tubimi është njoftuar të nisë në orën 19:00, pjesëmarrësit kanë filluar të grumbullohen disa orë më herët, duke krijuar atmosferën e protestës në qendër të kryeqytetit.

“Mjaft më! Populli kërkon, dinjitet, drejtësi dhe ndryshim", është pankarta që protestuesit kanë shpalosur në shesh.

Pjesë e protestës është bërë edhe diaspora shqiptare, e cila për herë të dytë i bashkohet mobilizimit në Tiranë. Pas mbërritjes në kryeqytet, kolonat e protestuesve kanë vijuar drejt Sheshit Skënderbej, ku pritet të zhvillohet tubimi.

Me pankarta në duar, flamuj kuqezi dhe banderola, protestuesit kanë nisur të brohorasin thirrjet e tyre të zakonshme, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Organizatorët presin që numri i pjesëmarrësve të shtohet në vijim, ndërsa protesta hyn në ditën e saj të 35-të.

Protesta e sotme ka karakter mbarëkombëtar dhe shënon herën e dytë që shqiptarë të diasporës udhëtojnë drejt Shqipërisë për t'iu bashkuar tubimit në Tiranë. Të ardhur nga vende të ndryshme europiane, ata janë bërë pjesë e mobilizimit, duke deklaruar se mbështesin protestën dhe kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

Ata mbërritën disa orë më parë në Tiranë për t'iu bashkuar protestës së paralajmëruar kundër kryeministrit Edi Rama dhe kastës politike. 

Pas hyrjes në Tiranë, kolona e gjatë e automjeteve të tyre shkaktoi trafik të rënduar në hyrje të qytetit. Gjatë lëvizjes, protestuesit brohoritën: "Rama në burg, Berisha në burg".

Njëri prej koordinatorëve të protestës deklaroi se pjesëmarrësit kanë udhëtuar drejt Shqipërisë nga disa vende europiane. Sipas tij, një pjesë kanë hyrë në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Muriqanit, ndërsa të tjerë kanë mbërritur përmes Igumenicës.

Organizatorët thanë se në protestë janë bashkuar shqiptarë nga Zvicra, Italia, Greqia, Belgjika, Franca, Austria, Britania e Madhe dhe Gjermania. Sipas tyre, shumë prej pjesëmarrësve kanë udhëtuar për rreth dy ditë për të qenë të pranishëm në tubim.

Mobilizimi synon të bashkojë zërin e diasporës në mbështetje të protestës.

Lini një Përgjigje