
Pas një reforme në drejtësi të shitur si garancia kryesore, qytetarët në shesh kërkojnë provën: nëse SPAK ka peshë reale, momenti është tani!
Mes mijëra qytetarëve që mbushën sërish sheshin para Kryeministrisë në ditën e 22-të të protestave kundër qeverisë, një zë u dallua jo për gjuhën politike, por për thjeshtësinë e tij. Një pensionist nga rrethinat e Vlorës, që udhëtoi katër herë drejt Tiranës me paratë e pensionit, i kërkoi sonte Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hapë dosjet e dy figurave kryesore të politikës shqiptare, kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
"Unë nuk jam as politikan e as orator dhe nuk njoh as Sali Berishën as Edi Ramën, por duke dëgjuar se vërejtjet më të mëdha për ta i bëjnë ata vetë, duhet të ndërhyjë edhe SPAK që të marrë dosjet e tyre dhe t'i japë zgjidhje këtij populli", u shpreh ai për News24.
Fjalët e tij përmbledhin një ndjesi që po bëhet gjithnjë e më e pranishme në shesh: bindjen se zgjidhja nuk vjen më nga kutia e votimit, por nga drejtësia. Vetë protestuesi e shtroi këtë në mënyrën më të drejtpërdrejtë, duke folur për besimin që i dha Ramës me votë dhe që, sipas tij, u thye më pas. "Rama thotë se e kanë votuar 800 mijë shqiptarë; unë ja kam dhënë votën, por e kam prishur kontratën me të, se nuk na përgjigjet më neve si popull", tha pensionisti vlonjat.
Për shumë nga qytetarët që prej tre javësh mbushin sheshin, institucioni i vetëm që ende mund të rivendosë një urë besimi mes tyre dhe shtetit mbetet drejtësia e re, dhe në qendër të saj SPAK. Pas një reforme në drejtësi që u shit si garancia kryesore se asnjë zyrtar nuk do të qëndronte mbi ligjin, pritshmëria e qytetarëve sonte ishte e qartë: nëse kjo strukturë do të tregojë se ka peshë reale, momenti për ta bërë është tani, ndërsa besimi publik tek institucionet politike është në nivelet më të ulëta. Thirrja e protestuesve nuk është anësore. Ata kërkojnë që drejtësia të trajtojë njësoj të dyja krahët, Ramën dhe Berishën, pa llogari politike.
Kërkesa e pensionistit nga Vlora, e thënë pa retorikë partiake, është ndoshta mesazhi më i pastër që ka dalë nga foltorja këto javë: qytetarët nuk po kërkojnë një palë kundër tjetrës, por një institucion që t'u përgjigjet të gjithëve njësoj.
Nuk mund te jete fajtor Sajmir Tahiri, Erion Veliaj Belinda Balluku Arben Ametaj dhe ky palaco i gjate eshte i pafajshem. Kaq e thjeshte eshte. Hezitimi i SPAK te shkoje deri te i gjati le shume per te dyshuar.