Raportimet e krerëve të drejtësisë, Altin Dumani dhe Olsian Çela rrezikon të mos ndodhë pasi PS ka kërcënuar se do të direkt në votim pa u zhvilluar diskutimet e parashikuara.

Kreu i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla ka kërkuar 15 minuta pushim të seancës plenare, për t’u takuar me opozitën dhe për të dakordësuar vijim e seancës dhe raportimin e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë.
Balla madje ka kërcënuar me mbylljen e seancës se nëse opozita nuk bie dakord që pyetjet për drejtuesit të bëhen me shkrim, jo me gojë siç kërkon opozita, atëherë do të kërkojë që kjo seancë maratonë të kalojë direkt në votim.
“Në mungesë të kryetarit të grupit, zoti nënkryetar Belind Këlliçi, kërkesa juaj për të shkelur rregulloren, as sot as pa një muaji nuk do e marrë dakordësimin tonë. Kërkoj 15 minuta pushim për një bisedë bashkë me ju dhe kryetarët e grupeve prezentë, nëse s’do kemi dakordësinë tuaj për të vijuar, do kërkoj ndërprerje të diskutimeve dhe kalim në votim”, tha Balla.
Mazhoranca nuk pranon që drejtuesit e drejtësisë të pyeten nga deputetët e opozitës, për të cilët thotë se pyetjet e tyre i kanë dërguar më herët me shkrim, teksa këta të fundit duan që t’i lexojnë paqartësitë e tyre.
Pas një debati procedurial që zgjati për më shumë se 1 orë e 30, kreu i grupit të PS kërkoi një pushim disaminutësh për mundësinë e arritjes së dakordësisë për këtë çështje, në të kundërt njësoj si në seancat e tjera do të kalohet në votim.
Seanca e sotme parlamentare ku janë parashikuar të raportojnë pesë drejtues të institucioneve të pavarura dhe debati është rënë dakord të jetë mbi 12 orë, rrezikon sërish të bllokohet.
Shkak është procedura që do të ndiqet për debatin mbi secilin raport të institucioneve të pavarura.
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi tha se bazuar mbi manualin e raportimit të institucioneve në Kuvend, deputetët duhet të dorëzonin pyetjet deri para nisjes së seancës dhe më pas gjatë raportimit, drejtuesi i institucionit të pavarur lexon pyetjen dhe jep përgjigjen.
Sipas Peleshit kjo është një praktikë e ndjekur që nga viti 2016, por e pazbatuar në dy vitet e fundit.
Në të njëjtën linjë ishte edhe kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla.
“Ka një rregull, pyetjet depozitohen përpara seancës. Edhe kur do t’i bësh pyetje kryeministrit, pyetjet depozitohen përpara dhe kryeministri lexon pyetjen që i ka dhënë deputeti. Keni 5 orë për të folur, ndoshta ai aty (Berisha) nuk do që ju të flisni. Është puna e tij”, tha Balla.
Por sipas opozitës kjo është një tentativë për t’i mbyllur gojën opozitës dhe për të prishur seancën parlamentare.
“Kjo është një tallje me rregulloren dhe Kushtetutën dhe të drejtën e fjalës, por dhe tallje me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, se nuk janë as zëdhënës as sekretarë të deputetëve. Pse doni t’i hiqni të drejtën e pyetjeve deputetëve?”, tha Belind Këlliçi.
Për socialistët, fakti që deputetët e opozitës duan të bëjnë pyetje në seancë, është gjyq që ata duan ti bëjnë institucioneve të pavarura.
“Pyetjet me gojë e vënë në vështirësi dhe i bëjnë presion prokurorit”, tha Toni Gogu.
Ndërsa për Sali Berishën, si drejtuesit e institucioneve të pavarura dhe deputetët e maxhorancës janë mëkatarë dhe kanë rënë dakord që të mos lejohen pyetjet e deputetëve.
Lini një Përgjigje