
Sot në seancën plenare të orës 10:00, Lamallari do të jetë përballë 3 deputetëve ndërsa në axhendë është gjithashtu interpelanca Tabaku-Rama.
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare, e cila pritet të nisë në orën 10:00.
Në rendin e ditës janë parashikuar disa çështje kryesore, mes të cilave zhvillimi i një interpelance urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari. Kjo kërkesë është paraqitur nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike. Marrja e detyrës së kryepolicit nga Skënder Hita pritet të jetë kryefjalë e përballjes së deputetëve në seancë. Më pas Lamallari do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetit Arjan Ndoja, si dhe deputetit Erald Kapri.
Interpelanca e kërkuar nga opozita me ministrin e Brendshëm pritet të përqëndrohet në pretendimet e saj sa i takon lidhjeve të zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit me krimin e organizuar.
Në raport theksohet se, pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra, Policia e Shtetit mbetet “e ekspozuar ndaj korrupsionit”. Gjithashtu, sipas dokumentit, procesi i vlerësimit kalimtar dhe periodik i punonjësve të policisë, i njohur si “vetting policor”, si dhe verifikimi i integritetit, kanë pasur ndikim të kufizuar.
Raporti përmend edhe raste të dyshuara të intimidimit dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, përfshirë gazetarë investigativë dhe gazetareve, ku sipas dokumentit, në disa raste janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë apo punonjës policie.
Grupi Parlamentar i PD-së e cilëson këtë situatë si shqetësuese, duke theksuar se edhe pas ndryshimeve ligjore dhe proceseve të verifikimit të integritetit, strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë të mbeten të cenueshme nga korrupsioni dhe ndikimi i aktorëve kriminalë.
Ndërkohë, sipas dokumentit të depozituar nga opozita, edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për narkotikët thekson rolin e grupeve kriminale shqiptare në tregjet ndërkombëtare të drogës dhe lidhjet e mundshme me struktura shtetërore.
Në kërkesë përmenden edhe zhvillime konkrete që, sipas opozitës, ilustrojnë problemin:
Hetimet e bazuara në komunikimet e aplikacionit Sky ECC, të cilat kanë implikuar ish-zyrtarë të lartë policie;
Akuzat ndaj ish-drejtuesve si Oltion Bistri dhe Henerigert Mitri për rrjedhje informacioni dhe lehtësim të aktiviteteve kriminale;
Vrasja e Gilmand Dani pranë aeroportit të Rinasit dhe plagosja e një punonjësi të AMP-së, që sipas dokumentit ngre pikëpyetje mbi filtrat e sigurisë;
Arrestimi i dy efektivëve të policisë për falsifikim dokumentesh në lidhje me punësime në strukturat e mbikëqyrjes.
Gjithashtu, në dokument përmenden të dhëna sipas të cilave rreth 70 oficerë policie kanë qenë nën hetim për lidhje me krimin e organizuar deri në fund të vitit 2023, ndërsa numri i arrestimeve të efektivëve është rritur nga 102 raste në vitin 2023 në 163 në vitin 2024.
Ndërkohë, vëmendje të veçantë pritet të marrë interpelanca me Kryeministrin Edi Rama, e kërkuar nga deputetja Jorida Tabaku. Sipas praktikave të mëparshme, Rama i ka deleguar këto interpelanca te ministrat për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Megjithatë, kjo është hera e parë që pritet që Kryeministri t’u përgjigjet vetë pyetjeve të një deputeti në një interpelancë të tillë, edhe pse mbetet për t’u parë nëse kjo do të konfirmohet gjatë seancës.
Në rendin e ditës është përfshirë gjithashtu shqyrtimi i projektligjit për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Singaporit mbi ligjin e markave tregtare, i miratuar më 27 mars 2006.
Ndërkohë, Kuvendi pritet të votojë edhe për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Autoritetit të Konkurrencës. Propozimet e PS janë Denar Biba dhe Eldian Balla.
Gjithashtu, me propozim të Këshillit të Ministrave pritet të zgjidhet Diana Dervishi, anëtare e Këshillit Drejtues të AKEP.
Axhenda e plotë:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 2.4.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 30.3.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Besfort Lamallari, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, kërkuar nga deputetja Jorida Tabaku.
5. Seancë pyetje - përgjigje me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Besfort Lamallari, kërkuar nga deputeti Arian Ndoja.
6. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Besfort Lamallari, kërkuar nga deputeti Erald Kapri.
7. Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Singaporit mbi Ligjin e Markave Tregtare, bërë në Singapor, më 27 mars 2006".
8. Projektligji "Për ratifikimin e vendimit nr.1/2025 të Komitetit të Përbashkët, i krijuar nga marrëveshja e tregtisë së lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, për ndryshimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, duke zëvendësuar protokollin II të saj, në lidhje me përcaktimin e konceptit të "produkteve origjinuese” dhe metodave të bashkëpunimit administrativ".
9. Projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Najrobit për Mbrojtjen e Simbolit Olimpik, bërë në Najrobi, më 26 shtator 1981".
10. Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.58/2022 "Për krijimin, organizimin dhe funksionimin parqeve teknologjike dhe shkencore"".
11. Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019, datë 17.06.2019,“Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”, të ndryshuar".
12. Projektvendimi "Për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës".
13. Projektvendimi "Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare".
14. Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 61/2025, “Për caktimin e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar".
15. Projektvendimi "Për një ndryshim në vendimin nr. 64/2025, "Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit", i ndryshuar".
16. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
Lini një Përgjigje