Politike24 Shkurt 2023, 12:14

Rama humbi shumicën në Kuvend, Bardhi thirrje Nikollës: Anulo votimin e djeshëm, u shkel Rregullorja!

Shkruar nga Pamfleti
Rama humbi shumicën në Kuvend, Bardhi thirrje Nikollës: Anulo
Gazment Bardhi në Kuvend

Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi i ka kërkuar kryeparlamentares Lindita Nikolla që të anulojë vendimet e djeshme, pasi sipas tij janë antikushtetuese. Bardhi shprehet se Kryetarja e Kuvendit ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke konsideruar të miratuar 3 akte me pjesëmarrjen e vetëm 64 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në procesin e votimit,  pasi duhen minimumi 71 vota. Edhe ditën e djeshme, Bardhi i është drejtuar ashpër Lindita Nikollës, ku sipas tij, kryetarja e parlamentit ‘dirigjohet’ nga sms-të e Taulant Ballës. 

Nga ana ime si deputet, është ngritur në mënyrë të përsëritur mungesa e kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje, çka i bënte tre votimet e kryera absolutisht të pavlefshme, mirëpo në injorim të detyrimit kushtetues dhe të Rregullores së Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit i ka konsideruar aktet të miratuara. Kjo përbën një shkelje kushtetuese dhe ligjore shumë të rëndë, duke anashkaluar detyrimin e parashikuar nga neni 78 i Kushtetutës dhe neni 55 i Rregullores së Kuvendit. Në rast të kundërt të gjitha aktet e miratuara janë antikushtetuese dhe Kryetari i Kuvendit do të ishte në kushtet e falsifikimit të akteve, duke konsideruar të miratuara, akte që në fakt Kuvendi nuk ka arritur me shumicën e kërkuar ti miratoi.”– shprehet ai në kërkesën e dorëzuar në Kuvend.

Pas akuzës së Bardhit, Nikolla iu përgjigj se në nisje të seancës 74 deputetë kishin konfirmuar prezencën. Kjo u kundërshtua nga Bardhi i cili tha se prezenca e deputetëve duhet të konfirmohet para çdo votimi që bëhet në sallë dhe i kërkoi Nikollës që të mos komunikonte në telefon me Ballën por të respektonte rregulloren.

“Konsideruat të miratuara dy pika të rendit të ditës në shkelje të Kushtetutës dhe rregullores pasi të pranishëm nuk janë 50% plus 1 deputetë. Më dëgjo mua jo Taulant Ballën në telefon se nuk është as Rregullorja as Kushtetuta. Ju lutem shpallni të anuluar të dy proceset e votimit që kaluar se janë në kundërshtim. Ju bëj një lutje të sinqertë. Kthehuni në rolin tuaj si kryetare Kuvendi”, tha Bardhi.

Pas këmbënguljes së Bardhit, Nikolla ndërpreu më pas seancën.

Por kush janë emrat që braktisën seancën? Sipas verifikimeve rezulton se në sallë nuk ishin: Lujeta Bozo, Denis Deliu, Pandeli Mjako, Eduart Shalsi, Blerina Gjylameti, Erion Braçe, Ermonela Felaj, Fatmir Xhafaj, Damian Gjiknuri, Aurora Mara, Niko Kuri, Olta Xhaçka, Mirela Kumbaro, Xhemal Qefalia dhe Edi Rama.