TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Janar 2024, 17:33

Rama kërkon të bëjë vetë opozitën, PS grup pune për të kontrolluar qeverinë

Shkruar nga Pamfleti

Rama kërkon të bëjë vetë opozitën, PS grup pune

Kuvendi i Shqipërisë pritet të hyjë në një reformë të thellë organizimi. Ky është plani i Partisë Socialiste, që ka ngritur edhe një grup pune me të gjithë kryetarët e komisioneve parlamentare. Si duket plani i Ramës është që të bëjë tani vetë opozitën.

Socialisti Eduart Shalsi sqaron se ku do të jetë fokusi i punës së këtij grupi.

Bëhet fjalë për një grup informal i cili po drafton një qasje të mënyrës se si ne mendojmë të reformojmë punën e Parlamentit i cili si çdo institucion ka nevojë herë pas here të ristrukturoeht pa prekur funksionet kushtetuese”, tha ai në “Klan News”.

Ky grup ende informal do të ketë në fokus edhe monitorimin e punës së institucioneve përfshirë edhe qeverinë. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, nuk e sheh si pengesë faktin që anëtarët janë të gjithë pjesë e mazhorancës.

Parlamenti ka një rol të rëndësishëm dhe në kontrollin e qeverisë. Pavarësisht se unë i përkas mazhorancës, përgjegjësinë e kemi të madhe për të monitoruar qeverinë dhe agjencitë e ndryshme qeveritare”, tha ai.

I pyetur nëse kjo iniciativë do të prodhojë një komision ad hoc, që do të monitorojë punën e institucioneve të drejtësisë, Shalsi thotë se ende nuk ka një komision të tillë, por nuk mohon ngritjen e tij në të ardhmen.

Ka lindur një keqkuptim që mund të vijë ose nga padija ose nga tymnaja që hidhen për të çoroditur opinionin publik. Nuk di dhe nuk jam në dijeni dhe nuk ka një komision ad hoc, mund t’ju përgjigjem vetëm për këtë”, shtoi ai.

Por a do të përfshihet opozita në këtë proces?

Opozita do të ftohet, duhet të jetë pjesë, duhet të marrë përgjegjësinë e saj pikërisht në këtë proces”, vijoi Shalsi.

Nëpërmjet këtij grupi pune, socialistët synojnë të rimodelojnë punën e komisioneve dhe nën komisioneve parlamentare por dhe burimet njerëzore. Ky proces do të ketë tre faza, atë të vlerësimit, dizejnimit se si do të jetë parlamenti modern dhe implementimi.

Në përfundim të këtyre fazave, nuk përjashtohet mundësia që të lindë nevoja për një komision të ri që do të ketë në fokus pikërisht monitorimin e institucioneve të pavarura, përfshirë dhe ato të drejtësisë. /Klan News

Lini një Përgjigje