Politike26 Korrik 2023, 09:10

Rama mbledh sot Asamblenë e PS, priten “prerje kokash” në qeveri dhe ndryshime në strukturat e partisë

Shkruar nga Pamfleti
Rama mbledh sot Asamblenë e PS, priten “prerje kokash” në
Kreu i PS, Edi Rama

Ditën e sotme do të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste në një ambient privat në Tiranë.

Burime për mediat bëjnë me dije se priten ndryshime në strukturat e partisë, por nuk përjashtohen as ndryshimet në qeveri.

Por Rama nuk do të ndalet me kaq, pasi menjëherë pas Asamblesë në dy ditët në vijim ai ka parashikuar dhe një mbledhje maratonë dyditore të kabinetit të tij qeveritar në Tepelenë.

Kryeministri Edi Rama mësohet se do të zhvillojë me 27 dhe 28 korrik mbledhjen e përvitshme me ministrat, të raportimit për punën që kanë kryer gjatë këtyre tetë muajve.

Puna e çdo ministri do të analizohet pas ato të paraqesin mbi raportin mbi objektivat e arritura.

Praktika ka treguar se vetëm pas kryerjes së kësaj analize, Rama mund të ketë ndërmarrë vendime për ndryshime në kabinetin qeveritar.

Nisur nga këto zhvillime, Asambleja e PS-së që mbahet pasditen e sotme do të fokusohet vetëm në analizën e zgjedhjeve lokale të 14 majit, të cilat u përmbyllën me votimet e së dielës që lamë pas me garën në Bashkinë e Rrogozhinës, ku kandidati i majtë Edison Memolla fitoi për herë të dytë përballë kandidatit të djathtë Shkëlqim Hoxha.

PS ndërkohë që pas emërimit të Taulant Ballës si ministër i Brendshëm, i duhet të gjejë edhe një kryetar të grupit parlamentar të PS-së. Aktualisht këtë detyrën e ushtron zv.kryetari Toni Gogu.

Fjala e kryesocialistit Edi Rama pritet të shihet edhe si një sinjal mbi zhvillimet më të fundit brenda kampit të mazhorancës.

Nga kjo Asamble do të kuptohet nëse Rama do të kërkojë ndryshimin ose jo të qeverisë në shtator, kur nis dhe sesioni i ri i Parlamentit.

Gjithsesi Asambleja mblidhet në një situatë delikate brenda kampit rozë. Socialistë me emër, kryetarë bashkish janë arrestuar, dhe së fundi prej disa ditësh SPAK ka urdhëruar arrestimin e ish ministrit Arben Ahmetaj.

Olta Xhaçka, Delina Brahimaj, Frida Krifca pritet të jenë 'kokat' që mund të hajë Asambleja e korrikut. Por nuk është çudi edhe Belinda Balluku të jetë njëra prej surprizave.

Nga Asambleja e Dhjetorit  2018, Rama ndryshoi pothuajse gjysmën e qeverisë siç ishin ministrat Ditmir Bushati, Damian Gjiknuri dhe Lindita Nikolla.

 

asambleja kombëtare ps rama