
As ngjyra blu dhe as mavi nuk e kanë udhëhequr Benetin në punën e tij. E ka udhëhequr dëshira dhe profesionalizmi i tij. Kështu që po ju them atyre që nuk janë këtu se Beneti nuk është as blu dhe as mavi, por është kuqezi...
Kryeministri Edi Rama ka mbyllur këtë pasdite fushatën në Shkodër, duke i dhënë mbështetje Benet Becit. Sipas Ramës, ai është mundësia e artë për shkodranët që qyteti të ndryshojë. Rama mori si shembull Tropojën.
“Beneti është një kandidat as i rastësishëm dhe as si kandidat i PS, por është një mundësi tjetër për të gjithë qytetarët e Shkodrës, që nga qendra deri në periferitë e kësaj bashkie. Beneti është këtu edhe si një reflektim i yni, pas asaj që ndodhi në 2019. Ne patëm një mundësi të artë për të treguar se çfarë mund të bëjmë së bashku, ashtu siç e kemi treguar në këto 4 vite në Tropojë, ku nuk e kishim mundësinë të drejtonim bashkinë. Nuk mund të gjesh dot një tropojan, që po të jesh vetëm për vetëm, pa televizor, të mos thotë sa ka ndryshuar Tropoja në 4 vite nuk ka ndryshuar në 40 vite”, tha Rama.
Rama u ndal dhe te viti 2019, kur Valdrin Pjetri doli i dënuar dhe PS nuk e mori dot bashkinë. Sipas Ramës, ai bëri që PS të reflektojë dhe të gjejë personin e duhur që i duhet Shkodrës. Po ashtu, Rama tha se Beneti i vlerëson jashtë mase punën, pasi me vepra e ka treguar se është personi që mund të ndryshojë Shkodrën.
“E humbën mundësinë në 2019 për mungesën e kandidatit tonë, që nuk na tregoi të vërtetën dhe na turpëroi të gjithëve. Këtë herë kemi vendosur më shumë kujdes sepse menduam se çfarë mund t’i ofrojmë Shkodrës, që dhe ata që kanë fiksimin se nuk e ndërrojmë votën, në kushtet kur nuk ja vlen me e çu votën kot, duke votuar atë që kanë votuar në 30 vite, të mos ndjehen në vështirë. Nuk e kisha menduar që do gjenim një kandidat kaq real që të ketë punuar aq shumë me atë tjetrin, se nuk dua t’ia përmend e emrin se ky i thotë zoti Berisha. E vërteta është se ka punuar. Unë i kam vlerësuar punën në fakt. Në atë lloj xhungle ka qenë nga shumë të paktit që dilte në pah si shembull me punën e tij. Beneti, se kështu është i urtë, ka pas bërë debate në fushatë kundër nesh. E merrnin se nuk kishin argumente kundër nesh. Ai nuk kandidonte, por dilte në debate. Ai ishte njeriu i duhur për të menaxhur Fondin e Zhvillimit dhe bëmë shumë punë”, tha Rama.
Kryeministri ka treguar bisedën me Benetin dhe kur e ka propozuar për deputet. Sipas Ramës, ai nuk ka mbi shpinë asnjë lloj ngjyre, por do punojë për shkodranët.
“Kur i thashë do bëhesh deputet, më tha nuk jam për atë punë. I thashë je shumë blu dhe duhet të hedh nga ngjyra jonë që të balancohesh se kur të vesh për kandidat, të të votojnë ata dhe fare këta të mijtë, nuk shkon. As ngjyra blu dhe as mavi nuk e kanë udhëhequr Benetin në punën e tij. E ka udhëhequr dëshira dhe profesionalizmi i tij. Kështu që po ju them atyre që nuk janë këtu se Beneti nuk është as blu dhe as mavi, por është kuqezi. Shkodra duhet të votojë kuq e zi këtë herë duke votuar për Benetin”, tha ai./Pamfleti
Lini një Përgjigje