TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Qershor 2023, 20:00

Rama nuk tërhiqet, vijon me “goditjet” ndaj Kurtit: Kosova po dëmton imazhin e gjithë Ballkanit

Shkruar nga Pamfleti

Rama nuk tërhiqet, vijon me “goditjet” ndaj Kurtit: Kosova po

Deklarata e Charles Michel se mbështet idenë e një konference pa afat Kurti-Vuçiç për situatën në Veri të Kosovës ka entuziazmuar kryeministrin Edi Rama. Ishte ai që e propozoi dhe nuk kishte si të mungonte reagimi. Rama ka marrë rolin e “pajtuesit të gjaqeve” edhe pse nuk humb asnjë rast pa goditur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në rrjetet sociale, Rama sërish e hedh fajin te Kosova, duke u shprehur se me atë që po ndodh në Veri, po tregon një panoramë bardhezi të Ballkanit. Ai shtoi se disa po përfitojnë nga tensionet në veri, duke ju referuar këtu kryeministrit Kurti, i cili sipas tij po tenton të ngrejë mbi supet e Kosovës imazhin e një heroi.

Një lajm i mirë progresi i idesë së konferencës së nivelit më të lartë, pa afat, deri në arritjen e marrëveshjes së plotë për zbatimin e Planit Franko-Gjerman mes Kosovës e Serbisë, çka sot e mbështeti vetë Presidenti Charles Michel. Rajoni ynë nuk mund të merret zvarrë nga një konflikt krejt i kotë, absurd, ku luhet me zjarrin e nacionalizmit duke prodhuar çdo ditë arsye për sherr, me veprime e mosveprime, akuza e kundërakuza, të cilat po e degradojnë përditë situatën në Veriun e Kosovës dhe po minojnë vetë ngrehinën e ndërtuar me aq shumë përpjekje të bashkëpunimit rajonal”, shprehet Rama.

Më tej ai ka shënjestruar drejtpërdrejt Kurtin. Rama shprehet se politikanët e Kosovës duhet ta dëshmojnë sot, me vepra e jo me fjalë, se ky rajon i përket Procesit të Berlinit, jo ëndrrave të Kremlinit dhe Kosova nuk mund të jetë pëlhura e pavetëdijshme mbi të cilën projektohen ato ëndrra. Ndërkohë që sipas tij, disa prej tyre u duket se po pikturojnë një tablo heroike për historinë.

Sot kur në Bruksel ka hyrë në axhendën e punës së Komisionit përgatitja e një plani të ri mbështetjeje financiare dhe ekonomike për vendet e rajonit tonë; kur Shqipëria përgatitet të presë Samitin e Parë të Procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor; kur ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar, për ta çuar përpara këtë proces jetik për të ardhmen tonë të përbashkët europiane, duke forcuar lidhjet tona, ekonomitë tona, tregun tonë të përbashkët, Veriu i Kosovës po i ofron botës shfaqjen e një filmi bardhezi të Ballkanit të Vjetër, i cili mund të argëtojë vetëm spektatorët cinikë në Lindjen e kufijve të Bashkimit Europian…”, shkruan Rama.

Sot Albin Kurti doli me 8 propozime të reja sa i takon qetësimit të situatës duke refuzuar kështu sugjerimin e BE.

rama kurti tensionet veri

Lini një Përgjigje