Kryeministri Edi Rama ka vijuar sulmet ndaj blogerëve dhe aktivistëve. Gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Fier, ai përdori tone ironike dhe akuza të drejtpërdrejta ndaj atyre që, sipas tij, po përhapin informacione të pavërteta për të fituar vëmendje në rrjetet sociale.
Rama tha se qeveria do të përballet gjithmonë me probleme për sa kohë që, sipas tij, ka njerëz që flasin në emër të mbrojtjes së mjedisit, por veprojnë në kundërshtim me atë që pretendojnë.
“Unë nuk po them që ne nuk kemi probleme, se ne do kemi gjithmonë probleme, për sa kohë që do kemi njerëz që në emër të mjedisit, shpendëve shkojnë në Zvërnec dhe i parkojnë të gjitha makinat mu në rërë dhe protestojnë për flamingot”, deklaroi kryeministri.
Më tej, kreu i qeverisë ironizoi figurat e njohura të rrjeteve sociale, duke thënë se ato ndërtojnë një realitet artificial për ndjekësit e tyre, ndërsa përhapin mesazhe që nuk përputhen me faktet.
“Do kemi probleme për aq kohë sa njerëzit shfaqen në Instagram me lloj-lloj kremrash, me lloj-lloj rrobash, sfondesh. Jam në Toskanë, ju përshëndes nga Parisi, o sa e bukur Vjena dhe mbrapa Mozarti që këndon”, tha Rama mes të qeshurave të të pranishmëve.
Ai u ndal veçanërisht te debati që ka shoqëruar investimet në Zvërnec dhe Sazan, duke pretenduar se një pjesë e kritikëve po mbështeten në informacione të rreme dhe teori të pabazuara.
Në fjalën e tij, Rama tregoi edhe për një bisedë telefonike që, sipas tij, kishte zhvilluar me një protestues që e konsideronte veten patriot. Kryeministri tha se i kishte kërkuar atij të distancohej nga pretendimet e pavërteta dhe të kërkonte transparencë përmes dokumenteve dhe fakteve.
“Ju, djem, nuk duhet të bëheni patriotë dhe t’i ikni të vërtetës. Nëse ka një gjë patriote, është e vërteta. Është që kur flet për vendin tënd, kur i del për zot vendit tënd, kur përpiqesh të thuash sa më mirë për vendin, ta bësh duke pasur parasysh që të mos cenohet dinjiteti i vendit tënd”, u shpreh ai.
Kryeministri akuzoi gjithashtu një pjesë të personazheve publikë në rrjetet sociale se përdorin çështje të ndjeshme për të rritur audiencën dhe ndikimin e tyre online.
“Kur flet për vendin tënd duhet të mos thuash gjëra të pavërteta, për hir të likes dhe followers”, deklaroi Rama.
Në fund të fjalës së tij, ai iu referua edhe debateve të fundit mbi projektet turistike në bregdet, duke ironizuar pretendimet që, sipas tij, zhvendosin vazhdimisht fokusin nga një zonë në tjetrën dhe krijojnë konfuzion në opinionin publik.
Lini një Përgjigje