
Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se kërcënon hapur sistemin e drejtësisë, duke e cilësuar sjelljen e tij si të papranueshme.
Në një reagim në rrjetet sociale, Xhaferri e krahasoi retorikën dhe presionin e Ramës ndaj sistemit të drejtësisë me metodat e përdorura nga Pablo Escobar.
“Rama i kërcënon segmente të drejtësisë ashtu siç i kërcënonte Escobari gjyqtaren Judge Sánchez, që të mos e ekstradonin në SHBA”, shkruan deputeti.
Sipas Xhaferrit, narrativa e kryeministrit ndaj drejtësisë është e paprecedentë dhe buron nga frika personale përballë llogaridhënies.
“Rama nuk po i kërcënon gjykatat për Belinda Ballukun, por për hallin e tij, sepse e di se do të japë llogari për çdo firmë të tijën dhe të deleguar, pas së cilës ka korrupsion dhe favorizim të krimit”, thekson ai.
Deputeti i PD e lidh drejtpërdrejt këtë presion me marrëdhëniet e pushtetit me krimin e organizuar. “Kjo ndodh pikërisht nga Edi Rama, njeriu që qeveris me votat e krimit të organizuar, të cilit i ka dhënë vende në Parlament si askund në Ballkan dhe në Evropë”, shkruan Xhaferri.
Ai rikujton rastin e Escobarit, duke theksuar kërcënimet ndaj drejtësisë synojnë të shmangin përgjegjësinë penale.
“Kërcënimet e tij janë të ngjashme me kërcënimet që Pablo Escobar i bënte gjyqtares Judge Sánchez, e cila urdhëroi arrestimin e tij dhe ekstradimin drejt SHBA-së”, thuhet në reagimin e demokratit.
Lini një Përgjigje