Alesandro Bastoni është nën hetim nga Prokuroria e Milanos për dyshime mbi veprën penale të prostitucionit me të mitur. Emri i mbrojtësit të Interit është përfshirë në një hetim më të gjerë të Guardia di Finanza, që lidhet me një rrjet të dyshuar shoqëruesish dhe organizimin e festave private ku, sipas hetuesve, merrnin pjesë edhe futbollistë të Serisë A.
Sipas dosjes hetimore, ngjarjet e dyshuara datojnë në korrik të vitit 2020, kur Bastoni ishte 21 vjeç dhe po përgatitej për sezonin e tij të dytë me Interin. Hetuesit dyshojnë se ai ka organizuar një takim me pagesë me një vajzë, e cila në atë periudhë ishte 17 vjeç e tetë muaj. Në kuadër të këtij hetimi, drejtues të agjencisë që dyshohet se ndërmjetësonte takime të tilla janë vendosur në arrest shtëpiak me akuzën e krijimit të një organizate kriminale.
Sipas mediave italiane “Corriere della Sera” dhe “La Repubblica”, në dosje përfshihen edhe biseda të zhvilluara më 9 korrik 2020 mes Bastonit dhe një personi të identifikuar si PR Salamone. Në një prej mesazheve, ky i fundit i shkruan futbollistit: "Mendoj se e mitura do që të bëjë seks me ty."
Bastoni, sipas të njëjtave burime, përgjigjet duke pyetur për sjelljen e vajzës: "A ishte e emocionuar sot? Apo nuk sillet si një…", ndërsa Salamone i përgjigjet: "Mendoj se ajo do të argëtohet, por sot po sillet butësisht."
Dosja përmend gjithashtu se një ditë më vonë palët kishin planifikuar një darkë në Cinisello Balsamo. Në komunikimet e raportuara, Bastoni shfaq shqetësim për privatësinë e vendit, duke pyetur: "Por a ka vende për t’u fshehur atje jashtë?", ndërsa Salamone i përgjigjet: "Do të gjejmë diçka, në rastin më të mirë do ta marrësh me vete në shtëpi."
Sipas hetuesve, pas darkës vajza ka shkuar në banesën e futbollistit. Në orët e para të mëngjesit, Salamone i dërgon Bastonit një mesazh: "Të lutem mbaje mend..., mik. Të lutem mbaje mend." Ai kontakton edhe vajzën për t'u siguruar për gjendjen e saj, ndërsa ajo përgjigjet: "Po, po, gjithçka është në rregull. Jam në shtëpinë e tij, po fle këtu." Të nesërmen, sipas dosjes, Bastoni i shkruan ndërmjetësit: "Gjithçka është në rregull, Leone."
Mbrojtësi i Interit pritet të merret në pyetje nga prokurorët e Milanos për të sqaruar pozicionin e tij në këtë çështje.
Avokati i tij, Salvatore Skuto, ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar: "Mund ta përjashtoj mundësinë që klienti im të ketë bërë ndonjëherë seks me pagesë, e aq më pak me të mitura."
Edhe vetë Bastoni ka shprehur pafajësinë e tij përmes personave të afërt, duke deklaruar: "Po flasim për gjashtë vjet më parë. Në atë kohë isha sapo bashkuar me Interin dhe isha beqar. Nuk kishte ndodhur kurrë asgjë me atë vajzë dhe nuk kam qenë kurrë në dijeni se ajo ishte e mitur. Aq më pak të kem paguar ndonjë vajzë për seks, veçanërisht nëse ajo ishte e mitur."
Ndërkohë, Prokurori Federal i Federatës Italiane të Futbollit, Xhuzepe Çine, pritet të kërkojë dokumentacionin nga Prokuroria e Milanos për të vlerësuar nëse çështja mund të ketë pasoja në aspektin sportiv. Deri tani, sipas raportimeve, nuk janë evidentuar shkelje që lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin futbollistik.
Hetimi vijon dhe, në këtë fazë, akuzat mbeten nën verifikim nga autoritetet italiane.
Lini një Përgjigje