Politike 5 Qershor 2023, 18:06

Rama u paraprin arrestimeve të tjera? Pas skandalit në MSH, paralajmëron reformim të prokurimeve  

Shkruar nga Pamfleti

Rama u paraprin arrestimeve të tjera? Pas skandalit në MSH,

Pas arrestimit të Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë, Rama ka paralajmëruar sot reformë në fushën e prokurimeve...

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të reflektojë sa i takon batërdisë që bëhet në zyrat e shtetit. Në SPAK është rritur ndjeshëm numri i funksionarëve që hetohen dhe arrestohen për abuzime me tenderët dhe rasti më flagrant ishte në Ministrinë e Shëndetësisë. Sekretarja e Përgjithshme e kësaj ministrie u kap në flagrancë duke marrë para. Po ashtu pak kohë më parë shumë arrestime pati në Ministrinë e Brendshme. Abuzime u zbuluan në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë pandemisë. Lefter Alla i Bulqizës u arrestua po për abuzime me tenderët.

I ndodhur përballë kësaj stuhie, Rama është kujtuar që të marrë masa. Sot ai ishte në Fier dhe paralajmëroi se do të nisë një reformë sa i takon prokurimeve. Si duket shefi i qeverisë po u paraprin arrestimeve të reja.  

Ne duhet të transformojmë gjithë procesin e prokurimeve të fondeve publike. Aty është bërë një ndryshim i rëndësishëm dhe nuk mjafton. Duhet akoma dhe më shumë. Ashtu sikundër duhet të transformojmë shumë gjëra që kemi folur dhe duhet t’i bëjmë, por nuk është kjo dita për t’u marrë me këtë pjesë”, tha Rama.

Nga ana tjetër ai u ndal dhe te Kadastra, duke vijuar me deklaratat se është një njollë turpi për PS.

Kadastra është portreti i turpit tonë. Janë pjesë e një procesi sepse nuk mund të bëhen dot të gjitha përnjëherë se janë pjesë e kësaj kontrate që ne kërkuam që qytetarët e nënshkruan dhe tani jemi ne ata që do e zbatojmë. Njerëzit na kanë dhënë një kredi të lartë. Kush mendon se është kredi me interesa të ulëta e ka gabim. Kemi punuar për këtë ditë, duhet ta përmbysim rendin që ekziston, dyert e Kadastrave duhet t'i mbyllim, qytetarët s'do kenë nevojë të shkojnë. Brenda muajit që jemi do e bëjmë dhe prezantimin e këtij transformimi, për t'ia hequr këtë barrë njerëzve”, tha ai.

Ka zëra se për të shuar bujën e arrestimeve, apo për tu paraprirë arrestimeve të tjera, Rama do bëjë ndryshime dhe në qeveri. Ndonëse Manastirliu ja hodhi paq në rastin e sekretares, padyshim që edhe ajo ka përgjegjësi. Asnjë tender nuk kalon pa dijeninë e ministrit. Mbetet të shihet se si do të reflektojë kryeministri, i cili gjithmonë reflekton pasi i këpusin “dardhat pas shpine”. /Pamfleti

rama skandal msh