Politike 5 Qershor 2023, 17:51

“Shtyrja e zgjedhjeve për kryetarin shkatërron PD”, Fitim Zekthi: Mes Bashës dhe Tabakut, zgjedh rikthimin e Bashës

Shkruar nga Pamfleti
“Shtyrja e zgjedhjeve për kryetarin shkatërron PD”, Fitim
Fitim Zekthi

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Fitim Zekthi ka folur në lidhje me zhvillimet brenda Partisë Demokratike.

I ftuar në News24, Zekthi tha se PD ndodhet në krizë totale prej vitit 2021, teksa e cilësoi qëndrimin e demokratëve pa kryetar për 1 vit e gjysmë si “marrëzi që ka sjellë shkallmimin e kësaj force politike”.

Ai shtoi më tej se nuk është dakord me shtyrjen e procesit të zgjedhjes së kryetarit të PD-së, duke thënë se të shtysh zgjedhjet e brendshme do të thotë se je naiv ose kërkon shkatërrimin e partisë me qëllim.

Sa i përket emrave konkretë për të drejtuar partinë, Zekthi deklaroi se Basha ka gjithë të drejtën të garojë, dhe se në një garë me Jorida Tabakun ai do zgjidhte ish-kryetarin e demokratëve. Ai vijoi më tej duke thënë se ish-kryeministri Berisha nuk mund të ketë më sukses politik dhe se “nga kriza e madhe dhe presioni për të bërë diçka”, ka zgjedhur të bëjë thirrje për protesta sërish.

“PD është në krizë totale nga shtatori 2021. Por për mua është në krizë prej vitit 2009, sepse elita politike ka parë vetëm oreksin e saj. U korruptua në kuptimin politik gjatë atyre viteve. Kjo elitë vijoi qeverisjen deri në 2013 dhe më pas. Kriza është thelluar edhe nga të mos pasurit një kryetar.

PD ka qëndruar 1 vit e gjysmë pa kryetar. Është një marrëzi që solli shkallmimin e kësaj organizate politike. Të shtysh akoma mos zgjedhjen e kryetarit të partisë, do të thotë që ose je naiv dhe nuk e kupton politikën, ose me qëllim kërkohet shkatërrimi i partisë.

Shtyrja për zgjedhjen e kryetarit është tmerrësisht e keqe për partinë dhe kjo do e shkallmojë edhe më shumë PD-në. Organizimi nis nga lart poshtë, duhet të ketë një kryetar të zgjedhur. Nuk e kuptoj si mund të mendojnë se partia organizohet kështu. Jam për zgjedhjen e kryetarit në bazë të platformave, por sa më shpejt.

Partia ka bërë marrëzi kur nuk zgjodhi kryetar për 1 vit e gjysmë. Ishte një gënjeshtër e madhe ndaj demokratëve dhe interesave të vendit.

Unë do doja një kryetar të PD-së si Ronald Regan, por nuk mund ta kemi dot. Nëse nuk e kemi do zgjedhim atë që mund të zgjedhim ose që i mbart ato vlera. Nëse PD është aq e keqe, ky është fati ynë politik, por duhet të ndjekim parimet tona. Lulzim Basha ka gjithë të drejtën të garojë për kryetar, a fiton nuk e di. Nëse do kandidojë Basha dhe Rexhep Uka do votoj Rexhep Ukën. Nëse kandidon Basha dhe Tabaku do zgjedh Bashën.

Bashkimi bëhet bazuar te vlerat. PD duhet të mbrojë vlerat konservatore të qendrës së djathtë. Unë besoj se duhet të bashkohemi me gjithë shqiptarët për interesat e përbashkëta. Por të shkrish këtë parti në emër të bashkimit është tradhti ndaj vendit.

Partitë politike në vend kanë shumë kusure dhe një prej tyre është dhe protesta. Protestat bëhen nga ata që nuk bëjnë dot politikë, studentët, punëtorët, etj. Këtu bëhen protesta politike që nuk i shërbejnë popullit, por interesave politike të brendshme. Berisha nga kriza e madhe dhe presioni për të bërë diçka bën protesta për të mbushur hapësirën. Manipulim ka pasur, por humbje si kjo nuk ka ndodhur. Berisha dhe Meta nuk do bëjnë më protesta, jam i bindur për këtë. Fundi i kësaj lëvizje dihej për shkak të kushteve politike dhe Berisha nuk mund të ketë më sukses politik”, u shpreh Zekthi.

fitmi zekthi pd lulzim basha