TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Qershor 2024, 08:35

Rama viziton sot Kosovën i shoqëruar nga dy ish kryeministra, shmang takimin me Albin Kurtin

Shkruar nga Pamfleti
Rama viziton sot Kosovën i shoqëruar nga dy ish kryeministra, shmang
Kryeministri Edi Rama, ish kryeministri italian, Massimo D'alema dhe ish kryeministri britanik, Tony Blair

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë ditën e hënë më 10 qershor, një vizitë në Kosovë, me rastin e 25-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.

Në nisje të vizitës, Kryeministri Rama do zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ndërsa nuk dihet nëse do të ketë një takim me kryeministrin Albin Kurti.

Akujt e ngrirë në raportin personal midis tij dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, për Albin Kurtin nuk duhet të merren edhe aq në konsideratë, nëse sheh nivelin e bashkëpunimit në terren midis dy qeverive dhe suksesin e 58 marrëveshjeve të firmosura.

Megjithatë, Kurti ka theksuar se krisja kryesore me Ramën ka ndodhur për shkak të qëndrimeve ndaj Serbisë dhe Ballkanit të Hapur.

Në Kosovë më tej Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, dedikuar këtij përvjetori, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Rugova, si dhe të vendeve aleate, të cilat patën një rol thelbësor gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Ai do t’i adresohet një prej paneleve të Konferencës, ku do të jetë së bashku me personalitete ndërkombëtare të mirënjohur për kontributin e tyre politik në periudhën e luftës, mes të cilëve ish Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair dhe ish Kryeministri Italian Massimo D’Alema.

Në vijim të agjendës, Kryeministri Rama do të mikpritet nga Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të nderohet me Çelësin e Qytetit.

Ndër të tjera, Kryeministri Rama do të marrë pjesë edhe në çeljen e ekspozitës së veçantë “Reporting House”, një retrospektivë e fuqishme e mediave gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ku përmes artefakteve të gazetarëve dhe veprave të artistëve, vizitorët do të njihen me historinë e luftës së viteve 1998-1999 dhe ndikimin e saj në dekadat që pasuan.

10 qershori i vitit 1999 shënon fundin e luftës në Kosovë dhe tërheqjen e trupave serbe, pas 78 ditë bombardimesh ajrore të NATO-s. Po me këtë datë Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas së cilës në Kosovë u dërguan trupat paqeruajtëse të KFOR-it nga 36 vende.

edi rama kosovë tony blair

Lini një Përgjigje