
Kryeministri Edi Rama mblodhi grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar, ku u ndal gjerësisht te reforma në drejtësi dhe pasojat e saj politike.
Rama deklaroi se socialistët e kanë kërkuar reformën në drejtësi që në kohën kur ishin në opozitë dhe se e ndërmorën atë me vetëdije të plotë për koston që do të kishte.
“Ne e deshëm reformën në drejtësi qysh kur ishim në opozitë dhe e bëmë kur erdhëm në pushtet… Ky është fakt; kush tregon histori tjetër nuk tregon të vërtetën”, u shpreh ai.
Sipas tij, reforma nuk ka qenë një proces i lehtë apo formal teksa shton se 'e dinte që nuk do të vinte me baltë dhe gjak'. Rama thekson se 'për ta bërë këtë do të kërkoheshin kokat tona'.
“Nuk e kam imagjinuar as si fasadë, as si shëtitje në park reformën në drejtësi; e dija që do të vinte me baltë dhe me gjak. Ishte përpjekje për të dorëzuar shpatën e pushtetit të drejtësisë në duart e njerëzve të drejtësisë. Për ta bërë këtë do të kërkoheshin kokat tona”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë e cilësoi ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë si një përmbysje revolucionare, ndërsa shtoi se vendi po kalon “një periudhë ethesh revolucionare”. Ai krahasoi drejtësinë aktuale me qeverinë shqiptare të vitit 1912, duke thënë se ka “fuqi politike dhe traditë demokratike zero, dhe autokontroll që mbetet nën notën kaluese”.
Duke iu referuar të dhënave të Komisionit Europian, Rama tha se “jemi vendi me shifrat më alarmante të paraburgimit dhe jemi të dytët pas Rusisë për raportin dënime/pafajësi; në dallim nga rajoni, këtu jemi pak a shumë njësoj”.
Ai u zotua duke thënë se transformimi në drejtësi po realizohet “falë nesh, nën udhëheqjen tonë dhe deri me lëkurën tonë”, ndërsa shtoi se edhe pas kësaj, qeveria akuzohet si më e korruptuara dhe vendi si më i kriminalizuari.
Lini një Përgjigje