
Paralelisht flitet për një ri-organizim, nga ku kanë nisur edhe ndarjet apo grupimet në selinë PD-së, duke mos përjashtuar as aleanca që mund të konsideroheshin si të ‘paimagjinueshme’.
Partia Demokratike regjistroi në zgjedhjet e 11 majit një nga humbjet më të thella, edhe pse zyrtarisht procesi konsiderohet farsë, ndërsa kreu demokrat tha se nuk do të njohë rezultatin. Gjithsesi në shtator deputetët e PD-së, bashkë me aleatët e tyre, do të hyjnë në Kuvend, pavarësisht kontestimeve publike dhe paraqitjes çdo pretendimi se vota e qytetarëve u manipulua me presion apo përmes blerjes.
Në ditët e para pas 11 majit pati një furi zërash që kërkonin marrjen e përgjegjësive, zbatimin e të ashtëquajturit ‘Neni Basha’ që detyronte Sali Berishën të dorëhiqej dhe të mos rikandidonte për kryetar të PD-së. Por shpejt zërat u shuan, dhe u fol për analiza të thella në forumet e PD-së, për të gjetur shkaktarët e humbjes. Në thelb demokratët po e thonë çdo ditë përmes Berishës se humbja erdhi për shkak të manipulimit, çka duket se është një mënyrë e pranuar nga të gjithë, për të shmangur përgjegjësitë.
Në selinë e PD-së flitet për dy skenarë, njëri që të ketë një riorganizim të shpejtë, duke synuar thjesht ndryshimin e disa emrave, dhe një tjetër për të cilin duket se i jep kohë të gjithëve për të bërë llogaritë, dhe që ka të bëjë me Kuvendin Kombëtar të PD-së të 2026.
Dhe në kuadër të zhvillimeve të pritshme, të shpejta ose jo, janë formalizuar grupimet, duke mos përjashtuar as aleanca që mund të konsideroheshin si të ‘paimagjinueshme’.
Kështu Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, është në një aleancë me Flamur Nokën, Sekretarin e Përgjithshëm, dhe një nga më besnikët e Berishës. Të paktën ajo që flitet në selinë e PD-së është që kjo ‘aleancë’ ka nisur para 11 majit dhe vijon, çka mund t’i garantojë ish-kritikut të Berishës, që drejtoi fushatën elektorale në Fier, pozicionin si Kryetar të Grupit Parlamentar deri në pranverën e 2026 (prill-maj).
Dhe gjithashtu Flamur Noka mund të vijojë i "pashqetësuar" funksionin e tij si Sekretar i Përgjithshëm deri në pranverën e vitit të ardhshëm, kohë kur pritet të mbahet edhe Kuvendi Kombëtar i demokratëve, ku do të zgjidhen forumet e reja, dhe për rrjedhojë edhe Kryetari, Nënkryetarët, Sekretari i Përgjithshëm, anëtarët e Kryesisë etj.
Ky është varianti që duket se i shkon për shtat shumicës së atyre që kanë një pozicion apo një post, pasi secili prej atyre që u zgjodhën në zhvillimet e vrullshme të fundvitit 2021 dhe muajve të parë të 2022, do të vijojnë të mbajnë funksionet partiake.
Ndërkohë, Oerd Bylykbashi duket se do i zërë vendin Agron Gjekmarkajt. Pavarësisht se ky i fundit rezulton një nga dy drejtuesit e qarqeve, bashkë me Luçiano Boçin, që në 11 maj rezultuan fitues, duket se do t’i duhet të mos vazhdojë më në pozicionin e Nënkryetarit të Kuvendit.
Bylykbashi konsiderohet prej kohësh në selinë e PD-së si ‘njeriu që mban kontaktet institucionale’ jo vetëm në korrespondencat brenda vendit, por edhe në raport me të huajt. Si një prej njerëzve më besnikë të Berishës, pozicioni i Nënkryetarit të Kuvendit do t’i jepte mundësinë Bylykbashit që të vijonte të mbante korrespodencat, por duke pasur edhe një ofiq shtetëror, pavarësisht se është më shumë një pozicion honorifik. Por gjithashtu, ai do të angazhohej në diskutimet për një reformë të plotë zgjedhore, por edhe në çdo diskutim të hedhur mbi një reformë kushtetuese.
Dhe po kështu, ky ‘pozicion honorifik’ do t’a mbante të angazhuar në kupolën drejtuese të PD-së, duke qenë një prej nënkryetarëve të saj.
Agron Gjekmarkajt mund t’i afrohet pozicioni i Kryetarit të Komisionit parlamentar të Mediave, një pozicion që është mbajtur nga Ina Zhupa, gjatë legjislaturës së kaluar. Opozita në legjislaturën e re do të ketë të drejtën të drejtojë 3 nga komisionet parlamentare, ku duket se Jorida Tabaku e ka të sigurtë pozicionin për të drejtuar atë të Integrimit Europian. Tabaku, si deputetja më e votuar në listat e hapura të PD-së, duket se do të mjaftohet me kaq, pa pretenduar pozicione partiake, të paktën deri në pranverën e 2026-ës. Dhe po kështu edhe Albana Vokshi do të marrë drejtimin e Komisionit parlamentar për Shëndetësinë, por duke lëshuar pozicionin si kryetare e LDG-së, një organizatë partnere e PD-së, por që i garanton drejtueses një vend të sigurtë në listat e deputetëve.
Luçiano Boçi do të vijojë të jetë një nga nënkryetarët e PD-së, pozicion që e mban prej 2022-it.
Ambicie për një pozicion në drejtimin e PD ka shprehur edhe Ilir Alimehmeti, i dyti më i votuar nga listat e PD-së, por që nuk mundi të marrë mandat deputeti në 11 maj. E nëse për shkak të ndonjë zhvillimi të papritur brenda listës së mbyllur të Tiranës, Alimehmeti do të hynte në Kuvend, ndoshta ai ka përmbushur ambicien. Pavarësisht se konsiderohet si një nga emrat e rinj dhe një figurë e papërlyer në rradhët e PD-së, ai nuk ka mundur të krijojë një grupim të tijin brenda kësaj partie, duke qenë më shumë një elektron i vetëm, që herë pas here, hedh ide, por nuk dihet se sa mund t’ia mbështesin me votë.
Belind Këlliçi gjithashtu përmes aleancave të tij në PD synon një pozicion, megjithëse zhgënjimet elektorale si kandidat për Tiranën dhe më pas si drejtues qarku, duket se ia kanë zbehur figurën. Dhe si të mos mjaftonte kjo, ndaj tij, nisën një seri sulmesh nga media të afërta me familjen Berisha, duke dhënë sinjale të qarta, se pozitat e tij s’janë aty ku ai mund të mendonte. Pavarësisht se shfaqet në dyert e SPAK sa herë që Berisha duhet të paraqitet në ‘respekt të masës së sigurisë’, madje duke qëndruar në krah të dhëndrit, Jamarbër Malltezi, deputeti duket se e ka të humbur betejën për ambicien e tij për të qenë Sekretar i Përgjithshëm i PD-së.
Të njëjtin pozicion synon edhe Ervin Salianji, ish-deputeti që vuajti një vit burgim, me vendim të Gjykatës së Apelit për atë që njihet si ‘Dosja Babale’. Salianji u shfaq aktiv në ditët e para të daljes nga burgu, por më pas pati një tërheqje publike të tij, ndoshta në pritje të zhvillimeve në PD.
Pozicionet e nënkryetarëve, Sekretarit të Përgjithshëm dhe Sekretariatit në tërësi, sipas statutit të PD-së, bashkë me anëtarët e Kryesisë, zgjidhen nga Këshilli Kombëtar. Për këtë të fundit janë hedhur disa ide për t’u rikonfiguruar, për të ulur numrin e anëtarëve, dhe për të pasur një përfaqësim më realist. Kjo do të thotë se nëse merren për bazë këto ide, atëherë duhet thirrur Kuvendi Kombëtar, anëtarët e të cilit zgjedhin anëtarët e Këshillit, një proces që mund të kërkojë kohë dhe mund të përkrahet nga ‘kupola’ drejtuese.
Dhe në kushte të tilla, duket se gjithçka do të mbetet për tu parë në vjeshtën e 2025, kur thuhet se do të nisë analiza, por nuk ka afate se kur mund të përfundojë. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje