
“Qeveritë vazhdojnë të përdorin censurën kundër zërave kritikë”, ambasada e SHBA mesazh për lirinë e mediave
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duket se i ka dërguar një tjetër mesazh goditës Edi Ramës. Në kulmin e ofensivës ndaj News 24, DASH publikoi raportin për lirinë e mediave, në të cilin nxihej Shqipëria.
Ambasada e SHBA kë shpërndarë sot një pjesë nga fjala e zëdhënses Tammy Bruce, e bërë më 12 gusht. Mesazhi është shumë goditës dhe lidhet me situatën në Shqipëri. Fakti që ambasada e shpërndan pas 2 ditësh duket qartë se është jo pa qëllim.
"Ne e konsiderojmë lirinë e shprehjes një përbërës themelor të një demokracie funksionale. Shoqëritë forcohen nga shprehja e lirë e mendimeve dhe censura qeveritare është e patolerueshme në një shoqëri të lirë. Liria e shprehjes mbetet e kërcënuar në shumë pjesë të botës, siç theksohet në Raportin e të Drejtave të Njeriut të vitit 2024. Qeveritë vazhdojnë të përdorin censurën, mbikëqyrjen arbitrare ose të paligjshme dhe ligje kufizuese kundër zërave që nuk u pëlqejnë, shpesh mbi baza politike ose fetare. Dhe, pavarësisht se sa i papajtueshëm mund të jetë fjalimi i dikujt, kriminalizimi ose heshtja e tij me forcë shërben vetëm si një katalizator për urrejtje, shtypje dhe polarizim të mëtejshëm", deklaronte Tammy Bruce, mesazh i shpërndarë nga ambasada e SHBA.
Sa i takon raportit të DASH, pjesa për Shqipërinë thekson se organizatat e pavarura mediatike dhe gazetarët profesionistë kanë pohuar se Qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale kanë kërkuar të ndikojnë te mediat në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente.
“Ka pasur raportime të besueshme se përfaqësues të lartë të mediave kanë përdorur platformat e tyre për të shantazhuar biznese, duke kërcënuar me raportim negativ. Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kanë kufizuar pavarësinë e mediave të shkruara, ndërsa raportohet se gazetarët kanë ushtruar vetëcensurë”, thekson raporti.
Raporti shton se “mungesa e kontratave të zbatueshme të punës ka ulur pavarësinë e gazetarëve dhe ka kontribuar në njëanshmërinë e raportimit”.
Gjithashtu thuhet se “interesat politike dhe të biznesit kanë ushtruar presion mbi gazetarët. Disa gazetarë kanë raportuar se kanë marrë mesazhe kërcënuese ose janë bërë objekt i fushatave publike të njollosjes pas raportimeve mbi korrupsionin apo keqpërdorimet e supozuara të Qeverisë”.
“Në muajin mars, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka denoncuar publikisht kryeministrin për përdorimin e një gjuhe frikësuese ndaj një gazetari që po hetonte investimet në turizëm në vend”, thuhet më tej.
Raporti vë në dukje se “gazetarët shpesh kanë ushtruar vetëcensurë për të shmangur dhunën, ngacmimin apo për të ruajtur vendin e punës. Thuhet se Qeveria, partitë politike dhe grupet kriminale kanë përdorur lidhjet e drejtpërdrejta me pronarët e mediave dhe redaktorët e lartë për të ndikuar në përmbajtjen e raportimit”.
Lini një Përgjigje