TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Gusht 2025, 16:24

Kur do të godasë sërish SPAK? 4 muajt vendimtarë të Altin Dumanit

Shkruar nga Pamfleti
Kur do të godasë sërish SPAK? 4 muajt vendimtarë të
Dumani në Parlament

Në dhjetor Dumani largohet, çfarë do të ndodhë me luftën antikorrupsion?

Vapa duket se po ikën me gushtin dhe shtatori do të rikthejë sytë nga Prokuroria e Posaçme.

Teksa Edi Rama pritet të dalë me një qeveri tërësisht të re, shumë emra nuk do të bëjnë gjumin e qetë. Ora ka filluar të ecë mbrapsht për Altin Dumanin, i cili duket se ka vetëm 4 muaj kohë për të dëshmuar se SPAK vepron pa asnjë lloj presioni dhe ndikimi politik.

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare dhe ndërhyrjeve, mazhoranca duket se po e bën të qartë se nuk ka asnjë ndryshim ligjor për të mundësuar rikandidimin e Altin Dumanit në krye të SPAK apo dhe të prokurorëve të tjerë për një tjetër mandat. Thënë kjo, në fund të dhjetorit Altin Dumani do të duhet të dorëzojë detyrën dhe re të zeza pritet të mbulojnë më pas SPAK.

Gojët e liga thonë se Rama këtë herë nuk do të lejojë më atë që ndodhi 4 vite më parë kur u zgjodh Dumani, pra që u dorëzua përballë presionit të Yuri Kim. Këtë herë në krye të SPAK synohet të vihet një benjamin i qeverisë. Kjo edhe për shkak të tërheqjes së SHBA, pasi ambasada duket se nuk po ngatërrohet më me punët e brendshme. Këtë qetësi Babloku do ta shfrytëzojë për të vënë aty një besnik të tijin.

Kjo do të thotë se Dumani ka vetëm 4 muaj kohë të çojë drejt fundit dosjet që ka në duar. Janë mbi 700-800 dosje që kanë nën hetim prokurorët, por një pjesë e tyre janë për zyrtarë të lartë, përfshirë deputetët, ish-ministra, krerë bashkish dhe drejtorë të niveleve të larta. Madje flitet edhe për njerëz pranë Ramës që janë të rrezikuar.

Pas 11 majit, u duk sikur SPAK u tërhoq. Fitorja e fortë e PS duket se i demoralizoi deri diku prokurorët. Kjo pasuar edhe me tërheqjen e ekspertëve amerikanë (tani janë rikthyer). Por vetë Dumani në daljet e fundit ka deklaruar se kush ka shkelur ligjin do të ndëshkohet.

Vjeshta duket se do të jetë vendimtare. Pushimet mbaruan dhe tani do të shohim nëse SPAK do t’i çojë deri në fund dosjet e bujshme, pasi nga janari 2026 nuk i dihet se cili do të jetë fati i SPAK. Kjo për shkak se në lojë do të jetë edhe komisioni “Xhafaj”, i cili ka punuar nën rrogoz dhe ka plane të tjera për drejtësinë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje