
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë një takimi në lidhje me sigurinë ushqimore, tha se rasti i salmonelës në Shqipëri, u zbulua vetëm kur u sëmur Kryeministri Edi Rama.
“Merret vesh vetëm kur sëmuret kryeministri me salmonelë, sepse gjer atëherë nuk u mor vesh dhe nuk u mbajt asnjë përgjegjësi.
Kush i solli këto? Dikush afër qeverisë ndaj nuk kishte hetim. Edhe ky dha dorëheqjen kur i sëmur Rama që thoshte e kam nga breshkat, e ka pasur nga pulat e sigurt.
Një reformë në këtë sektor është e domosdoshme. Duhet të jetë një sektor qendror në sigurinë kombëtare.
Duhet të ketë financim. Do të 2-3 fishojmë buxhetin në këtë fushë. Siguria e ilaçeve dhe ushqimeve është shumë e rëndësishme”, tha ai.
Berisha u shpreh se kontrolli mbi ushqimet në Shqipëri ndodhet në ‘duart e mafies’. Ai e cilësoi situatën alarmante, duke theksuar se është vetë “mafia shtetërore” ajo që kontrollon sektorin e sigurisë ushqimore, i cili sipas tij është një nga më të rëndësishmit për shëndetin e qytetarëve.
Kreu demokrat u shpreh se Shqipëria nuk plotëson asnjë nga standardet e Bashkimit Europian për sigurinë ushqimore, duke theksuar se pavarësisht pranisë së ekspertëve të kualifikuar, ata janë të përjashtuar nga proceset vendimmarrëse. Sipas tij, kontrollet bëhen nga struktura të korruptuara, të cilat pengojnë përfshirjen e investitorëve të huaj dhe zhvillimin e sektorit me cilësi europiane.
Ai kritikoi ashpër edhe mënyrën se si menaxhohen prokurimet publike, duke thënë se në 99% të rasteve ato fitohen nga kompani shqiptare, ndërsa të huajt përjashtohen përmes burokracive të qëllimshme. “Kanë vënë rregull që dokumentet duhen për 38 ditë, dhe i huaji paraqitet vetëm pasi është firmosur prokurimi,” deklaroi ai, duke e quajtur këtë një pengesë të qëllimshme ndaj konkurencës së ndershme.
Berisha theksoi se siguria ushqimore është drejtpërdrejt e lidhur me shëndetin e qytetarëve dhe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme për ta nxjerrë këtë sektor nga duart e interesave mafioze.
Lini një Përgjigje