Kryeministri Edi Rama teksa po priste liderët që marrin pjesë në Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, nuk la mënjanë as batutat e tij me gazetarët.
“Shiun e sollën anglezët”, dëgjohet të thotë njëri prej gazetarëve, ndërsa Rama e pohon fjalën e tij duke thënë ‘Po po me shi me vete'.
Samiti i organizuar nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa dhe Kryeministri Edi Rama do të mbahet në Sheshin “Skënderbej” dhe punimet do të nisin në orën 11:00, për të përfunduar me konferencën përmbyllëse në orën 18:30 të kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres së Danimarkës, si vendi që do të presë samitin e radhës.
Tema e diskutimit të samitit do të jetë “Evropa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët” dhe është strukturuar në 3 tryeza të rrumbullakëta me tematika të ndryshme.
Mbështetja për Ukrainën, mbrojtja evropiane, ruajtja e demokracisë, përgatitja dhe aftësia e reagimit ndaj kërcënimeve të ndryshme do të jenë në fokus të punimeve të samitit, pjesë e të cilit do të jetë edhe Kryeministri britanik, presidenti francez si dhe ai turk.
Lini një Përgjigje