TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Korrik 2025, 09:47

“Sazani Deal”: Rama i jep Trumpëve ishullin me gjithë shtetin brenda!

Shkruar nga Pamfleti

“Sazani Deal”: Rama i jep Trumpëve ishullin me gjithë

Qeveria shqiptare krijoi një kompani të re shtetërore për resortin në Sazan, por në prapaskenë fshihet një klauzolë që i jep Trumpëve gjithçka...

Më 26 qershor 2025, qeveria shqiptare krijoi dhe regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit shoqërinë shtetërore “Albanian State Development & Real Estate”, e cila do të jetë ortake me kompaninë amerikane “Atlantic Incubation Partners” të Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, për ndërtimin e resortit luksoz në ishullin e Sazanit.

Sipas Vendimit Nr. 23, datë 30 dhjetor 2024, shteti shqiptar futet në ortakëri si zotërues i sipërfaqes 45 hektarë ku do ndërtohet resorti, si dhe si financues i infrastrukturës bazë për furnizimin me ujë e energji, përpunimin e mbetjeve dhe pastrimin e zonës nga mbetjet luftarake. Pavarësisht faktit që dhurimi i Sazanit është një akt i qartë politik e personal i kryeministrit Edi Rama për të forcuar marrëdhëniet me familjen Trump, përfshirja e shtetit si ortak në këtë projekt përdoret si justifikim për të thënë se “do të ketë pjesë në fitim”.

Por sipas ligjit për shoqëritë tregtare, kur shteti kontribuon me pasuri dhe infrastrukturë, ai duhet të ketë jo më pak se 33% të aksioneve, ashtu siç është bërë në rastin e projektit “Durrës Marina” me kompaninë e Mohamed Alabbar.

Në rastin e Sazanit, Rama ka futur në lojë një klauzolë djallëzore, e cila i lejon qeverisë të largohet nga ortakëria me një vendim të thjeshtë administrativ, duke i kaluar 100% të aksioneve Trumpëve, pa miratim në Parlament dhe pa asnjë pengesë ligjore.

“Sazani Deal”: Rama i jep Trumpëve ishullin me gjithë

Në pikën 11/e, nën-pikat 4 dhe 5 të vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, thuhet:

"Nëse qeveria e konsideron të arsyeshme, mund të zbatojë opsionin e daljes nga ortakëria me kushte të paracaktuara apo lehtësisht të vlerësueshme, pas një periudhe kohe nga hyrja në projekt, duke respektuar kufizime të zbatueshme për transferimin e aksioneve ose përfshirjen e palëve të treta.”

Kjo do të thotë praktikisht se Rama, në rolin e “Sulltanit”, mund ta zhveshë shtetin nga pronësia e Sazanit vetëm me një vendim të Korporatës së Investimeve, e cila përfaqëson aksionet shtetërore. Dhe këtë mund ta bëjë pa vendim kuvendi, pa konsultim publik dhe pa asnjë transparencë.

Opsioni është shkruar në mënyrë të tillë që nuk përcakton nëse kalimi i aksioneve do bëhet përmes shitjes, apo thjesht me akt-dhurimi. Kjo hap rrugën që resorti i Sazanit të kalojë plotësisht në duart e kompanisë Trump, me një justifikim të zakonshëm që Rama e përdor shpesh: “interesi kombëtar”.

Disa ditë më parë, “Pamfleti” publikoi edhe një tjetër skandal të lidhur me këtë projekt: Qeveria shqiptare do të shpenzojë 142 milionë euro nga buxheti i shtetit për ndërtimin e portit të jahteve, linjat e ujit dhe energjisë, pastrimin e zonës nga municionet, ndërtimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve dhe kryerjen e ekspertizave mjedisore dhe ligjore.

Me pak fjalë, Edi Rama po përdor paratë dhe pasuritë e shqiptarëve për të ngritur një perandori turistike për Trumpët në Sazan dhe më pas mund ta dorëzojë të gjithë projektin në tavolinë, pa u pyetur askush./Pamfleti

rama trump ishulli i sazanit

Lini një Përgjigje