
Departamenti Amerikan i Thesarit ka njoftuar se ka hequr nga lista e sanksioneve katër aleatë të Millorad Dodikut, presidentit të entitetit serb në Bosnje, një prej figurave më të kontestuara në Ballkan. Jellena Pajiq Bastinaq, Danijel Dragiçeviq, Goran Rakoviq dhe Dijana Millankoviq nuk janë më subjekt i masave ndëshkuese të SHBA, pavarësisht përfshirjes së tyre në aktivitete që sfiduan vendime gjyqësore dhe institucione ndërkombëtare.
Lëvizja është përshëndetur menjëherë nga vetë Dodik, i cili ka qenë prej kohësh nën sanksione për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe për mbështetjen e politikave separatiste që rrezikojnë stabilitetin në Bosnje. Vetë Dodik ka deklaruar se ka angazhuar lobistë në SHBA për të ndikuar në heqjen e masave ndaj tij dhe tashmë po shënon rezultate.
Në kontrast me këtë zhvillim, situata për ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha mbetet e pandryshuar. Pavarësisht lobimeve të fuqishme në Shtetet e Bashkuara dhe shpenzimeve të raportuara në miliona dollarë për firma ndërkombëtare që synojnë të ndikojnë në politikën amerikane, Berisha vijon të jetë subjekt i shpalljes “non grata” nga Departamenti i Shtetit.
Shpallja për Berishën, e bërë që në maj të vitit 2021 nga Sekretari Antony Blinken, bazohej në akuza për korrupsion madhor dhe minimin e demokracisë. Që atëherë, Berisha ka ndërmarrë një fushatë të vazhdueshme për të rrëzuar vendimin, duke mohuar akuzat dhe duke pretenduar se është viktimë e një komploti politik, por pa sukses konkret në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë që Dodik e sfidon perëndimin dhe po korr suksese të pjesshme në përballjen me sanksionet, Berisha mbetet i izoluar politikisht nga SHBA, duke dëshmuar se standardet e Washingtonit në çështje të korrupsionit dhe rendit demokratik, nuk zbuten lehtë, pavarësisht përpjekjeve lobuese.
Lini një Përgjigje