Ajo që bie në sy është se duket sikur kriza në PD i ka larguar amerikanët nga opozita. I dërguari i SHBA në krye të ambasadës nuk ka pasur deri më sot asnjë takim me përfaqësues të opozitës...
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar sot një mesazh se e ndjekin me shumë vëmendje aktualitetin politik. Të hënën Kuvendi nisi sesionin e ri parlamentar mes debateve, ndërsa sot në zyrën e Nikollës ka trokitur i dërguari me punë i Uashingtonit në Tiranë, David Wisner.
Ai ka deklaruar se SHBA mbështet institucionet demokratike, teksa e ka bërë të qartë se reforma në drejtësi mbetet thelbësore për ta. Ai u shpreh se vetëm falë kësaj reforme, Shqipëria mund të shkojë në BE. Mësohet se SHBA ka kërkuar dialog dhe jo konflikt politik.
“I ngarkuari me Punë David Wisner u takua sot me Kryetaren e Parlamentit Lindita Nikolla për të diskutuar fillimin e sezonit të ri parlamentar, si dhe për të ripohuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për institucionet demokratike të Shqipërisë. Ata ranë dakord që qeverisja e përmirësuar, veçanërisht në lidhje me reformën në drejtësi është thelbësore në përpjekjet e Shqipërisë për të pasur sukses brenda bashkësisë euroatlantike”, njoftoi ambasada.
Por ajo që bie në sy është se duket sikur kriza në PD i ka larguar amerikanët nga opozita. Në çdo sesion parlamentar diplomatët amerikanë zhvillonin takime me grupet parlamentare, ndërsa i dërguar i SHBA vendosi të takohej vetëm me Nikollën.
Element tjetër është se si ambasadorja Yuri Kim muajt e fundit para largimit, ashtu dhe David Wisner, nuk kanë pasur asnjë takim me përfaqësues të PD. David Wisner ka disa javë që ka ardhur në vend dhe ai është takuar me shumë figura politike, mes të cilëve kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj. Por nga opozita kanë munguar takimet.
Me sa shihet amerikanët janë në dilemë, pasi duket sikur ndërhyjnë në konfliktin brenda PD. Partia është ndarë në 3-4 pjesë. Basha pretendon se është kryetar legjitim, Berisha po ashtu dhe nga ana tjetër është grupi i Bardhit.
Berishën dihet që amerikanët nuk e njohin, por nuk dihet nëse e njohin Bashën si kryetar. Kur fitoi zgjedhjet nuk pati asnjë urim nga SHBA, ndërkohë që deri më sot i dërguari i SHBA ka preferuar të qëndrojë larg opozitës. Mbetet të shihet çdo të ndodhë në ditët në vijim. /Pamfleti
Lini një Përgjigje