
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka mbajtur një fjalim të ashpër në Kuvend, ku u ndal te protestat që po zhvillohen prej disa ditësh në Tiranë dhe akuzat e mazhorancës ndaj pjesëmarrësve në to.
Shehaj kritikoi qëndrimin e qeverisë dhe të deputetëve të shumicës ndaj protestuesve, duke deklaruar se në vend të sulmeve dhe etiketimeve, duhet të japin llogari për shqetësimet e ngritura nga qytetarët.
Ai tha se në seancën e kaluar i ishte mohuar e drejta e fjalës, pikërisht kur synonte të fliste për të rinjtë që kanë dalë në protestë kundër qeverisë dhe Kuvendit.
“Seancën e kaluar është shkelur procedura sepse mu mohua e drejta e fjalës sepse do të flisja këtu ku të gjithë sulmoni të rinjtë që kanë dalë të protestojnë kundër jush dhe kundër këtij Kuvendi, e jo vetëm që nuk i dëgjoni apo mbështesni, por edhe i sulmoni”, u shpreh Shehaj.
Më tej, ai dënoi etiketimet ndaj protestuesve, duke i cilësuar të papranueshme. “Nazistë, serbë, grekë i quani, dje u çuat edhe policinë t’i ndaloni, turp!”, deklaroi kreu i Partisë Mundësia.
Shehaj kërkoi që kryeministri të jetë i pranishëm në Kuvend dhe të japë shpjegime për akuzat që lidhen me abuzime dhe vjedhje.
“Kryeministri duhet të vijë këtu të japë përgjigje e jo të mbledhë grupin e PS dhe të sulmojë protestuesit. Skandal kjo që po bëni për të fshehur vjedhjet tuaja”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, Shehaj akuzoi qeverinë se po përdor edhe struktura private sigurie dhe i bëri thirrje mazhorancës të ndalojë pasurimin në kurriz të qytetarëve.
“Keni nisur tani edhe me polici private. Mjaft u pasuruat. Mjaft është mjaft!”, përfundoi Shehaj.
Lini një Përgjigje