
Komisioni për Çështjet Ligjore në Këshillin Bashkiak vendosi ti përcjellë këtij forumi kërkesën e këshilltarëve të PS-së për shkarkimin e Erion Veliajt si Kryebashkiak i Tiranës. Gjithashtu Komisioni vendosi të rrëzojë kërkesën e Veliajt, i cili kishte kërkuar më parë që të ishte i pranishëm në mbledhjen, që do të mbahet pasditen e sotme, për të dhënë shpjegimet e tij.
Pas mbledhjes së Komisionit për Çështjet Ligjore, këshilltari i PD-së Dorjan Teliti, ka folur për mediat duke theksuar se opozita ka kërkuar prej kohësh shkarkimin e Erion Veliajt dhe se ky vendim duhet të jetë i mbështetur fort në ligj për të mos u rrëzuar më vonë në gjykatë.
“Sapo u mbyll mbledhja e vonuar nga socialistët. Shkarkimi i Veliajt ka qenë kërkesë e hershme e opozitës. Ne e kemi kërkuar këtë shumë më parë dhe insistojmë që vendimi të jetë i pakontestueshëm ligjërisht,” tha Teliti.
Ai shtoi se opozita kërkoi të shtonte në diskutim edhe shkelje të tjera të bëra nga Veliaj, përfshirë marrjen e kompetencave të Këshillit Bashkiak në vitin 2016, por kjo iu mohua.
“Veliaj ka të drejtën të dëgjohet, ashtu si çdo i paraburgosur. Socialistët sot i mohuan këtë të drejtë dhe kjo do t’i japë atij nesër një mjet për të fituar gjyqin dhe për ta rrëzuar shkarkimin në gjykatë për shkelje proceduriale,” u shpreh Teliti.
Ai theksoi se Këshilli duhet t’i drejtohej zyrtarisht SPAK-ut dhe Drejtorisë së Burgjeve që Veliaj të merrte pjesë në seancë, qoftë fizikisht, qoftë online.
“Nuk është se duam të dëgjojmë retorikën e tij, por duam që vendimi të jetë i pastër, i ligjshëm dhe i pandryshueshëm. Ne do ta votojmë largimin e tij sot dhe Veliaj do të largohet si kryetar bashkie,” tha Teliti.
Lini një Përgjigje