
Seanca paraprake për çështjen “Meta”, e cila do të mbahej ditën e sotme është shtyrë për më datë 5 dhjetor. Mësohet se seanca u shty pasi avokati i ka bërë kërkesë për t’u njohur me aktet e dosjes.
Presidenti i Partisë së Lirisë ka marrë një tjetër avokat mbrojtës, Gylsen Zhllima. Ilir Meta ka qenë i pranishëm në seancën e sotme. Ai u arrestua më 21 tetor të vitit 2024. Meta dhe deputetja Monika Kryemadhi, dyshohen se në bashkëpunim dhe me funksionarë të tjerë shtetërorë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore e politike.
Sipas akuzave, dyshohet se ata kanë favorizuar kompani private si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin.
Meta akuzohet për veprat penale “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”. SPAK ka mbyllur hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit.
GJKKO do të vendosë për kalimin ose jo të dosjes për gjykim. Kujtojmë se më herët, seancat janë shtyrë për shkak të kërkesave të avokatëve për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja me argumentin se është në konflikt interesi pasi po hetohet nga SPAK për akuzat e ngritura më herët nga Sali Berisha se ka fshehur një dënim për falsifikim dokumentesh në Greqi.
Avokati i Metës po ashtu ka pretenduar se SPAK ka shkelur procedurën me paraqitjen e provave të reja lidhur me lobimin e LSI në SHBA, në një kohë kur hetimet për dosjen i ka mbyllur që në korrik.
Meriton varje