TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Shtator 2025, 15:44

“Siguria ushqimore në pikën më të ulët”, Tabaku: Sistemi patronazhon votën, por s’arrin të sigurojë ushqimet që hamë

Shkruar nga Pamfleti

“Siguria ushqimore në pikën më të ulët”,

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me rastin e fundit të bllokimit të pjeshkëve shqiptare në kufirin me Kroacinë për shkak të nivelit të lartë të kimikateve.

Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Tabaku kujtoi se ky është rasti i radhës pas mandarinave, domateve dhe specave që janë ndaluar më herët në vendet e BE-së si rezultat i sistemit europian të kontrollit ushqimor. Sipas saj, kjo tregon se sistemi i ngritur nga qeveria nuk funksionon dhe lë qytetarët pa asnjë garanci për produktet që konsumojnë.

“Siguria ushqimore është në pikën më të ulët. Mbas mandarinave të bllokuara në dhjetor të vitit të shkuar, mbas domateve e specave, erdhi radha e pjeshkave të bllokohen në kufi me Kroacinë si rezultat i sistemit të koordinimit Europian për sigurinë ushqimore.

Ne nuk e dimë se çfarë produktesh konsumojmë ne dhe fëmijët tanë, çfarë produktesh vendosen në tryezat tona. Sepse sistemi që kemi ndërtuar në bujqësi nuk mbështet fermerin, nuk garanton kontrollin e kimikateve që përdoren dhe nuk siguron cilësinë e produkteve që dalin në treg.

Ndërkohë që shteti merret me rigonin që mblidhet në male dhe sheh nëse shitet me fatura apo pa fatura, maunet me produkte të pasigurta kalojnë lirshëm në tregje. Ky është sistemi që është ngritur. Shqipëria sot ka nevojë për gjëra normale: për siguri ushqimore, për ujë 24 orë, për rrugë të sigurta, për shkolla të sigurta. Vetëm pas këtyre, mund të flasim për ëndrra të tjera që shpesh mbeten në letër”, shprehet Tabaku.

Lini një Përgjigje