TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Maj 2025, 12:19

Skenari i denoncimeve te ndërkombëtarët/ ‘Dosja për 11 majin’, 150 emra në "listën e zezë" të PD-së

Shkruar nga Pamfleti

Skenari i denoncimeve te ndërkombëtarët/ ‘Dosja për 11

Zgjedhjet e 11 majit do të monitorohen nga afër nga 100 vëzhgues që vaktohen nga Asamblea Parlamentare e OSBE-së. Ata janë përfaqësues nga 31 vende që do të vendosen në Shqipëri...

Në 11 maj mbahen zgjedhjet parlamentare, ku Edi Rama do të synojë mandatin e katërt rradhazi, ndërsa Sali Berisha rikthimin në qeverisje për herë të 3-të, në 34 vitet e pluralizmit.

Me një fushatë në dukje e qetë, pa incidente domethënëse, procesi për 11 majin, duket se ka shënuar një ‘rekord’ për mungesën e debateve të çdo niveli mes përfaqësuesve të dy partive kryesore, por edhe kandidatëve të secilës forcë politike.

Edi Rama e ka përqëndruar fushatën në premtimin se do të anëtarësojë Shqipërinë në BE brenda 2030-ës. Rama ka zgjedhur të etiketojë opozitën kryesore në vend, atë që drejtohet nga Sali Berisha, si një kënetë, ndërsa kreun demokrat e quan ‘buf kënete’. Ndërkohë që partitë e reja i konsideron si moçale dhe drejtuesit e tyre i krahasoi me disa nga personazhet e firmave piramidale.

Në anën tjetër demokratët e Berishës, ndoshta të udhëzuar edhe nga strategu amerikan, Chris LaCivita, janë përqëndruar te një program, kryesisht tek pikat ekonomike, duke bërë premtime për rritha pagash e pensionesh, përcaktimin e minimumit jetik, edhe ka kontestime nga Kryeministri Rama, që po përpiqet hera herës të minimizojë çdo ide që hidhet nga jashtë ‘gardhit të tij politik’ duke i konsideruar të parealizueshme.

Por në anën tjetër demokratët e Berishës, nisur edhe nga eksperienca politike e këtij të fundit, kanë përgatitur terrenin për të kontestuar zgjedhjet, veçanërisht duke futur në lojë faktorin ndërkombëtar. Një dosje voluminoze ku përfshihet çdo denoncim është përkthyer në anglisht dhe në të përfshihet çdo dokument i bërë ose jo publik, që nis me përdorimin e administratës, presionet, përdorimin e aseteve shtetërore, lidhjet e zyrtarëve me elementë kriminalë etj.

Sipas burimeve nga PD, dosja përmban rreth 150 emra, zyrtarë të niveleve të ndryshme, por edhe elementë të botës së krimit, që sipas demokratëve, kanë konsumuar krime zgjedhore. Madje emrat janë ndarë sipas qarqeve, pikërisht aty ku demokratët pretendojnë se ato veprojnë dhe ushtrojnë presione, me qëllim tjetërsimin e votës.

Në të dhënat e demokratëve pjesa më e madhe e emrave janë angazhuar në Qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Shkodër dhe Durrës. “Janë zyrtarë të niveleve të ndryshme, që në kundërshtim me ligjin po veprojnë, madje me mbështetjen e elementëve kriminalë”, shprehen burime nga PD, që duket se po vijojnë të mbledhin informacione, për të pasuruar edhe më tej atë që pritet të ndodhë pas 11 majit. Burime nga PD shprehen se zotërojnë prova mbi takimet e zyrtarëve apo deleguarve socialistë me ata që konsiderohen si ‘bota e nëndheshme’, por edhe për angazhimin e personazheve që ndodhen në burg, duke përdorur influencat e tyre në zona të caktuara, në favor të mazhorancës.

Disa emra janë bërë publike në mënyrë sporadike, por duket se strategjia e PD-së është ajo e paraqitjes së dosjes me prova e fakte, madje edhe me emra konkretë, në strukturat dhe kancelaritë ndërkombëtare.

Gjithë informacionet grumbullohen nga drejtuesit politikë në qarqe, që më pas hartojnë dosjet e tyre që përcillen në selinë qendrore të PD-së, ku një tjetër grup i bashkon, përkthen dhe i bashkangjiten dosjes së madhe.

Burime nga PD shprehen se në takime zyrtare dhe jo-zyrtare i janë bërë të qarta përfaqësuesve ndërkombëtarë të gjitha zonat e nxehta zgjedhore, por njëherazi edhe skemat që po përdoren nga Edi Rama në funksion të marrjes së mandatit të 4 qeverisës.

Për demokratët zona të nxehta zgjedhore të identifikuara janë kryesisht zonat periferike apo rurale në Bashkitë Tiranë, Shkodër, Fier, Elbasan, Lezhë, Durrës, ku ka një përdorim jo vetëm të administratës, por edhe skenarë për blerje votash.

Nuk dihet nëse skema e demokratëve për të denoncuar 11 majin do të ketë efikasitet, por në selinë që sot drejtohet nga Sali Berisha ka një optimizëm që një proces i manipuluar nuk do të marrë njohje ndërkombëtare.

Rreth 100 vëzhgues nga Asamblea Parlamentare e OSBE-së

Zgjedhjet e 11 majit do të monitorohen nga afër nga 100 vëzhgues që vaktohen nga Asamblea Parlamentare e OSBE-së. Ata janë përfaqësues nga 31 vende që do të vendosen në Shqipëri. Kjo shënon herën e dhjetë që Asambleja Parlamentare e OSBE-së ka vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri që nga viti 1996.

Koordinatorja Speciale dhe udhëheqësja e misionit vëzhgues afatshkurtër të OSBE-së do të jetë Farah Karimi (Holandë), e cila shërben si Përfaqësuese Speciale e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Azinë Qendrore dhe Kryetare e Delegacionit të Holandës. Ajo më parë ka udhëhequr misione të tjera vëzhgimi të zgjedhjeve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, së fundmi në Serbi në vitin 2023. Kryetari i delegacionit të vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së do të jetë Björn Söder (Suedi), i cili shërben si Kryetar i Delegacionit Suedez në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.

Ekipi i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së do të punojë ngushtë me Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, të kryesuar nga Ambasadori Lamberto Zannier (Itali), dhe delegacionet partnere nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), e kryesuar nga Simone Billi (Itali), dhe Parlamenti Evropian (PE), i kryesuar nga Michael Gahler (Gjermani).

Vëzhguesit do të informohen plotësisht nga përfaqësuesit e administratës zgjedhore dhe shoqërisë civile, kandidatët, përfaqësuesit e partive dhe ekspertët mbi situatën përpara zgjedhjeve, përpara se të shpërndahen në disa rajone të Shqipërisë për vëzhgimin e ditës së zgjedhjeve.

Në fillim të prillit, një delegacion, i udhëhequr nga Koordinatorja Speciale Farah Karimi, kreu një vizitë parazgjedhore në Tiranë për të vlerësuar mjedisin zgjedhor. Gjatë vizitës, Karimi u takua me Ambasadorin Michel Tarran, Kryetar i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, përfaqësues të partive politike, shoqërisë civile, medias, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Strukturës Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Autoritetit të Medias Audiovizuale (AMA) dhe misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR. Vizita parazgjedhore ofroi njohuri të vlefshme mbi klimën politike, peizazhin mediatik dhe mjedisin e shoqërisë civile përpara zgjedhjeve.

“Këto zgjedhje parlamentare po zhvillohen në një kontekst historik, me Shqipërinë që prezanton votimin jashtë vendit për herë të parë dhe zbaton ndryshime kyçe në sistemin e saj zgjedhor”, tha Koordinatori i Posaçëm Karimi.

“Misioni ynë është të vëzhgojmë dhe të raportojmë nëse zgjedhjet jo vetëm që përputhen me kuadrin ligjor, por pasqyrojnë edhe vlerat demokratike. Duke pasur parasysh mjedisin politik shumë të polarizuar, është thelbësore që transparenca dhe drejtësia të ruhen gjatë gjithë procesit.”

Kryetari i delegacionit të vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Björn Söder, theksoi se këto zgjedhje përfaqësojnë një provë vendimtare për zhvillimin e institucioneve dhe proceseve demokratike të Shqipërisë, veçanërisht në dritën e bisedimeve të vazhdueshme të pranimit të vendit me Bashkimin Evropian.

Ai nënvizoi rëndësinë e një shqyrtimi të ngushtë dhe bashkëpunimit të fortë me delegacionet e vëzhguesve partnerë. "Misioni ynë është të punojmë ngushtësisht me OSBE/ODIHR-in, APKE-në dhe Parlamentin Evropian për të vlerësuar nëse procesi zgjedhor mbështet transparencën, siguron integritetin e procedurave të votimit, nxit një fushë loje të barabartë për të gjithë kandidatët, i mundëson medias të veprojë në mënyrë të pavarur dhe garanton raportimin e saktë të rezultateve", deklaroi ai.

Zgjedhjet do të vlerësohen kundrejt angazhimeve demokratike të përfshira në Dokumentin e Kopenhagenit të OSBE-së të vitit 1990. /Pamfleti/

Lini një Përgjigje