Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në orën 10:00 në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar. Kjo seancë pritet të prodhojë sërish debate për çështjen e Avokatit të Popullit, të cilën opozita e ka dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Endri Shabani, i cili u zgjodh Avokat Populli me firmat e PD dhe vetëm me votat e PS, pritet të betohet në seancën e sotme.
Sot pritet të ketë debate edhe për çështjen e Belinda Ballukut, pasi SPAK i ka kërkuar Kuvendit autorizim për arrestimin e saj, ndërsa Këshilli i Mandateve do të mblidhet të premten. Por anëtarët e këtij Këshilli nuk kanë në dorë USB-në me provat e SPAK, të cilën Peleshi ende nuk ua ka vendosur në dispozicion me argumentin se materialet janë sekret hetimor.
Në rendin e ditës janë parashikuar disa pika, mes tyre edhe mocion me debat për masat e marra nga qeveria për luftën me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar. Ky diskutim pritet të shfrytëzohet nga opozita për të kritikuar rezultatet e qeverisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa mazhoranca pritet të mbrojë qasjen dhe veprimet e saj.

Lini një Përgjigje