
Sipas informacioneve të “Pamfletit”, ditën e hënë është planifikuar të mbahet një seancë e posaçme plenare, ku do të bëhet votimi i ministrave të rinj, ndonëse Begaj nuk i ka firmosur akoma dekretet...
Kryeministri Edi Rama vijon ta përdorë presidentin Bajram Begaj sipas interesave. Ky i fundit ka firmosur gjithçka që i ka shkuar në zyrë dhe në tryezë së fundmi i kanë shkuar emrat e ministrave të rinj.
Rama ndryshoi 7 ministra, por askush nuk e ka marrë detyrën për shkak sepse Bajram Begaj nuk ka firmosur dekretet. Presidenti ndodhet në Kazakistan në një vizitë zyrtare dhe pritet që të vijë nesër.
Por duket se kjo pritje e ka lodhur Bablokun, i cili ja ka bërë fakt të kryer presidentit se duhet të firmosë emrat pa bërë shumë numra. Sipas informacioneve të “Pamfletit”, ditën e hënë është planifikuar të mbahet një seancë e posaçme plenare, ku do të bëhet votimi i ministrave të rinj dhe më pas pasdite do të bëhet betimi në Presidencë. Seanca është planifikuar të mbahet në orën 14.00.
Por skandali këtu është se qeveria dhe Lindita Nikolla planifikojnë një seancë pa ditur më parë se çfarë do të bëjë presidenti. Ne e dimë që ai do t’i firmosë si “Çeçoja”, por në aspektin ligjor është anormale. Megjithatë caktimi kësaj seance është një mesazh që Rama duket se i dërgon presidentit që me tu kthyer të firmosë emrat dhe të hapë rrugën e betimit. Një burim konfirmoi se Begaj do e zbatojë porosinë dhe pritet që nesër ai të firmosë të 7 dekretet dhe menjëherë Nikolla do të nxjerrë nga sirtari urdhrin për të thirrur seancën, pasi edhe pse ai është firmosur, nuk ka dalë zyrtarisht.
Sa u takon ndryshimeve në qeveri, Edi Rama ka larguar Delina Ibrahimajn nga Ministria e Financave duke emëruar në këtë post Ervin Meten. Ibrahimaj ka kaluar ministre shteti për Sipërmarrjen, duke zëvendësuar Edona Bilalin. Po ashtu është shkarkuar Olta Xhaçka. Ministër i Jashtëm është emëruar Igli Hasani. Xhaçka ka mbetur pa post. Frida Krifca është shkarkuar si ministre e Bujqësisë. Aty u emërua Anila Denaj. Po ashtu është shkarkuar ministrja Evis Kushi dhe te Arsimi kaloi Ogerta Manstriliu. Te Shëndetësia ka shkuar Albana Koçiu. Rama ka emëruar Ardian Maznikun, ministër shteti për Pushtetin Vendor. /Pamfleti
Lini një Përgjigje