
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot buxhetin e vitit 2026 me një vlerë rekord prej 400 milionë euro, në një mbledhje ku mungoi kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.
Mungesa e tij nuk ishte rastësore; ndonëse kishte kërkuar të ishte prezent në seancë, SPAK refuzoi kërkesën, duke e mbajtur larg procesit më të rëndësishëm financiar të vitit për kryeqytetin.
Seanca u shoqërua me tensione, debate dhe dyshime për ligjshmëri. Të gjitha 29 amendamentet e propozuara nga opozita u injoruan dhe nuk u hodhën fare për votim, gjë që Partia Demokratike e quajti një farsë proceduriale.
Këshilltari Ilir Alimehmeti ngriti pikëpyetje të drejtpërdrejta mbi kompetencat e Anuela Ristanit, e cila drejtoi mbledhjen në mungesë të Veliajt. “A e ka Ristani kompetencën për të firmosur, duke mos qenë kryetare e zgjedhur por e urdhëruar?”, pyeti ai në sallë.
Ristani, në një përgjigje procedurale, u shpreh se “nuk jam autoriteti i duhur për të dhënë përgjigje mbi legjitimitetin, por do ishte shkelje po të mos e dorëzoja një draft buxheti”.
Në krahun tjetër, Eridian Salianji i PS, vuri theksin mbi faktin se 40% e buxhetit 2025 nuk është realizuar. “Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së Veliajt. Shërbimi ndaj qytetarëve ka çaluar”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje