
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka folur sot lidhur me rastin e “News 24” dhe zaptimin e godinave nga shoqëria “KAYO”.
Boçi e cilësoi situatën si absurde, pasi sipas tij kemi të bëjmë me një krim shtetëror përballë një mediaje të lirë dhe gazetarëve të lirë.
Deputeti demokrat kërkon që SPAK të veprojë përballë kësaj situatë, fillimisht me veprime verifikuese dhe më pas me akte penalizuese. Ai shkruan se gazetarët duhet të marrin të gjitha mjetet e tyre dhe se Gjykata ka vendosur që News24 të vazhdojë të transmetojë në ambientet e tij.
“Situata është absurde. Kjo situatë dëshmon se jemi përballë një skene krimi, ata që e bëjnë krimin nuk janë asnjëherë gazetarët as News24, por ai që realizon sot krimin.
Ku është ai që pretendon se ka kapur flamurin e drejtësisë. Pse nuk vepron SPAK i famshëm përballë një krimi shtetëror ndaj një mediaje të lirë, ndaj gazetarëve të lirë, siç pretendohet pavarësisht se DASH e ka treguar në raport se Rama ka mbyll çdo formë të lirë të medias.
SPAK duhet të kishte marrë një hap verifikues, pastaj penalizues. Ky është krim, është shkelje ligji. Kush e vendos drejtësinë në një vend? Ja pra ka dhënë drejtësi Gjykata, gazetarët duhet të marrin të gjitha mjetet e tyre dhe Gjykata ka vendosur që News24 të vazhdojë të transmetojë në ambientet e tij. Të dyja godinat i përkasin News24 godina të vëna në një shërbim të një të mire publike”, u shpreh Boçi.
Lini një Përgjigje