TAGS-AT E JAVËS

Sport 2 Korrik 2026, 16:37

Brazili synon rikthimin në majën e botës, fillimisht duhet të thyejë “tabunë” që e ‘përndjek’ ndaj Norvegjisë

Shkruar nga Pamfleti
Brazili synon rikthimin në majën e botës, fillimisht duhet
Kombëtarja e Brazilit

Brazili vijon rrugëtimin drejt objektivit madhor, rikthimin te titulli kampion bote pas 24 vitesh dhe fitimit të trofeut të gjashtë në historinë e tij. Për të mbërritur në finalen e 19 korrikut, skuadra e drejtuar nga Karlo Ançeloti duhet fillimisht të kalojë një provë të vështirë në fazën e 1/8-ave, përballjen me Norvegjinë e Erling Haland.

“Seleçao” siguroi kualifikimin pas fitores ndaj Japonisë, në një turne ku Vinicius Zhunior po spikat si një nga lojtarët më në formë dhe lideri i skuadrës në repartin ofensiv. Megjithatë, sfida me Norvegjinë vjen me një precedent që nuk favorizon brazilianët.

Përballja e këtij Botërori do të jetë e pesta mes dy kombëtareve. Në katër takimet e mëparshme, Brazili nuk ka arritur të regjistrojë asnjë fitore, duke numëruar dy barazime dhe dy humbje ndaj skandinavëve.

Një nga duelet më të njohura mes tyre daton në Botërorin e vitit 1998, kur Norvegjia triumfoi 2-1 në fazën e grupeve. Pavarësisht asaj humbjeje, Brazili arriti deri në finalen e turneut, ku u mposht nga Franca.

Edhe historia më e afërt në Kupat e Botës nuk ka qenë në favor të brazilianëve përballë skuadrave evropiane. Në pesë edicionet e fundit, Brazili është eliminuar radhazi nga Franca, Holanda, Gjermania, Belgjika dhe Kroacia, duke e bërë sfidën ndaj Norvegjisë edhe më domethënëse.

Megjithatë, paraqitja bindëse ndaj Japonisë ka forcuar besimin se Brazili mbetet një nga pretendentët kryesorë për fitimin e trofeut. Skuadra e Karlo Ançelotit mbështetet te cilësia dhe forma e Vinicius Zhunior, i cili po udhëheq ekipin me ambicien për ta rikthyer “Seleçaon” në majën e futbollit botëror.

brazili kupa e botës

Lini një Përgjigje