Kryeministri Edi Rama me anë të një reagimi në rrjetet sociale thotë se situata nga zjarret është “përmirësuar”, teksa ka sulmuar mediat që kanë kritikuar qeverinë për mungesën e mjeteve dhe menaxhimin e situatës.
Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër reagim lidhur me situatën e zjarreve në vend.
Në postimin e tij Rama thekson se thekson se vëmendje në vazhdim kërkojnë vatrat në Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë, ku forcat nga toka dhe mjetet nga ajri po punojnë pa u ndalur për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronës.
Sipas tij sot është një ditë sakrifice dhe krenarie ku strukturat shtetërore vijojnë pa ndërprerje përpjekjet në terren për shuarjen e flakëve në të gjithë vendin.
Kujtojmë se ditën e djeshme, në të gjithë territorin e Shqipërisë janë regjistruar 37 vatra aktive zjarri në disa qarqe, përfshirë: Vlorë, Dibër, Berat, Tiranë, Gjirokastër, Elbasan, Shkodër, Kukës, Korçë dhe Lezhë.
Në terren janë angazhuar forcat e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), Forcat e Armatosura, policia e shtetit, si dhe forcat rajonale të emergjencave.
Operacionet për shuarjen e flakëve po mbështeten edhe nga helikopterë çekë dhe sllovakë, të cilët janë vendosur në dispozicion për të përballuar situatat më të vështira dhe për të ndërhyrë në zona të thella e të paarritshme me mjete tokësore.
Gjithashtu, Rama shprehu “neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi”.
“MIRËMËNGJES dhe me një tjetër ditë gatishmërie të lartë e përpjekjesh të përbashkëta, përballë një situate të përmirësuar falë mundimesh e sakrificash të admirueshme por me rreziqe e të papritura në çdo çast; me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi, ju uroj një ditë sa më të qetë të gjithëve”, lexohet në postimin e kreut të qeverisë.
Ndërkohë teksa qeveria është në negociata për blereje avionësh siç tha ministi Pirro Vëngu, Ambasada greke në Tiranë njoftoi se po monitoron situatën alarmante në Shqipëri dhe, brenda kapaciteteve të saj, ka kontribuar me mjete ajrore zjarrfikëse për shuarjen e zjarreve. Ndihma po jepet si pjesë e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve.
Lini një Përgjigje