TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Maj 2025, 21:34

Zgjedhjet e 11 majit, Luarasi: Nuk e prisja fitoren e PS me mbi 80 mandate, na e dhuroi opozita

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet e 11 majit, Luarasi: Nuk e prisja fitoren e PS me mbi 80 mandate, na e

Iris Luarasi, e cila garoi për deputete në listën e mbyllur të PS-së në Qarkun e Tiranës, komentoi për rezultatin befasues që ka arritur kjo parti, e cila projektohet të marrë 83-84 mandate.

Në emisionin “Të Paekspozuarit” Luarasi tha se edhe ajo vetë nuk e ka pritur këtë rezultat, por shtoi se vjen si pasojë e mungesës së alternativës përballë PS, por edhe grindjeve të partive të vogla me njëra tjetrën, çka i pengoi ato të faktorizohen dhe të krijojnë një pol të ri.

"Unë personalisht nuk e prisja këtë rezultat. Kam qenë e sigurtë që do të merreshin, 74, 75, 76 mandate, por nuk mendoja se do të kalonte mbi 80 mandate. Nuk e mendoja me logjikën që pas 12 vitesh, një forcë politike duhet të paguajë një kosto dhe nëse nuk i ka marrë në 2013 mendoj se nuk mund të merren, por rezultati tregoi të kundërtën e asaj që mendoja unë. Mendoj se ka shumë arsye për këtë.

E mendoja PS-në fituese, sepse edhe me 76 mandate ishte fitore e rëndësishme. Arsyeja kryesore, ka një opozitë të shkalafitur, pa listë për 11 majin por për 12 majin. Normalisht duhet të kesh një ofertë shumë të mirë në treg që njerëzit të largohen nga partia në pushtet për të shkuar në një opsion tjetër, e kam parë këtë gjë që dje.

Isha besimplotë dhe shikoje trendin e njerëzve, përqindjet e votimit. Ajo që ndryshon në shumicën e vendeve demokratike, është kur sheh një numër të jashtëzakonshëm votuesish. Fakti që kishte 42% që kanë hedhur në kuti verdiktin, ishte e qartë që do të kishim të njëjtën forcë qeverisëse.

Edhe një element tjetër, edhe partitë e reja, për fat të keq, tani nuk po flas si përfaqësuese e PS, por si një njeri që po bën një analizë politike, nuk arritën të krijonin frymë dhe të krijonin një pol. Partitë e vogla dërrmuan njëra tjetrën. Nuk u mor PD apo PS me Lëvizjen Shqipëria Bëhet apo Partinë Mundësia, sa u morën me njëri tjetrin. Deklaratat e tyre, Adriatik Lapajt dhe zotit Shehaj, e masakruan njëri tjetrin dhe ishte një nga trendet e rrjeteve sociale. Nuk u motivua aq shumë Berisha dhe Rama për tu marrë me partitë e vogla, sepse dëmtuan njëra tjetrën", tha Luarasi.

Lini një Përgjigje