TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Maj 2025, 13:31

Zgjedhjet e 11 Majit, reagon Gjylameti: Ne s’bëjmë luftëra të vogla, bëjmë beteja të mëdha

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet e 11 Majit, reagon Gjylameti: Ne s’bëjmë luftëra
Blerina Gjylameti

Ish-deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjyalmeti, ka reaguar pas mbylljes së numërimit të votave, teksa nuk mundi të fitonte mandatin në zgjedhjet e 11 majit. 

Gjylameti kandidoi në listën e hapur të PS në Tiranë, ku arriti të siguronte një numër të lartë votash duke konkurruar kokë më kokë me Olta Xhaçkën. 

Ish-deputetja nuk arriti të siguronte mandatin duke humbur me një diferencë shumë të vogël prej vetëm 130 votash.

Në një reagim në rrjete sociale ajo ka falenderuar të gjithë mbështetësit, ku ka theksuar se bën vetëm beteja të mëdha. 

"Të dashur miq, familjarë dhe mbështetës të mi në garën e 11 majit,
Kam një përqafim të madh për secilin prej jush — dhe s’jeni pak, 6148 zemra! Të gjithë ju që më besuat gjënë më të çmuar që një qytetar ka: votën.

Kudo që ishit — në Njësinë 4, në të gjithë qarkun e Tiranës, dhe mbi të gjitha ju që votuat nga diaspora — dua t’ju them faleminderit. Çdo votë, çdo shprehje besimi, është një gur i çmuar në themelin e një Shqipërie më të mirë.

Në këtë garë nuk ka humbës — ka vetëm të fituar. Dhe unë e besoj këtë me gjithë zemër.Të gjithë kemi fituar vazhdimësinë në rrugën drejt së ardhmes europiane. Unë personalisht kam fituar zemrat tuaja, respektin tuaj, mbështetjen tuaj, dhe për këtë ju jam thellësisht mirënjohëse. 11 maji për mua ishte një fitore e një lloji tjetër: një përvojë e vlefshme, një garë sfiduese dhe një rezultat që më mbush me krenari. Faleminderit secilit prej jush.

Faleminderit ekipit tim të palodhur, familjes sime të duruar, dhe në veçanti Kryeministrit Edi Rama, për besimin dhe përkrahjen. Sidomos në këto ditë të lodhshme e sfiduese, të mbushura me emocione, ne – më mirë se kushdo tjetër – e kuptojmë sa e vështirë është të mbash bashkë një familje të madhe si Partia Socialiste.
Beteja jonë vazhdon. Për angazhimet që kjo forcë politike ka marrë.

Ne nuk bëjmë luftëra të vogla — ne bëjmë beteja të mëdha për jetët e njerëzve, aspak për jetët tona.
Mirënjohëse. Këto zgjedhje, kjo garë, më kanë dhënë vetëdijen e plotë pse jam në politikë, pse në PS, dhe bindjen e thellë se Partia Socialiste është forca që i duhet vendit në këtë moment historik. Zgjedhjet mbaruan.
Sovrani foli. Politika për njerëzit vazhdon", shkruan Gjyalameti. 

Lini një Përgjigje