
Partia Demokratike ka zyrtarizuar kandidatin e saj për Bashkinë e Matit në zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen më 9 nëntor.
Opozita ka zgjedhur të përfaqësohet nga Eduart Brahilika, një avokat me profil lokal dhe i njohur në zonën e Burrelit, që do të garojë përballë kandidatit të Partisë Socialiste, Altin Bojni.
Ky zhvillim shënon hapjen zyrtare të fushatës elektorale për zonën e vetme ku PD do të ketë një kandidat nën siglën e saj në këto zgjedhje të pjesshme. Ndërkohë, në Tiranë, vëmendja e demokratëve është përqendruar te mbështetja për kandidatin e pavarur Florjan Binaj, ish-aktori i “Portokalli”-së, që ka marrë mbështetjen e grupimeve opozitare përballë kryebashkiakut Erion Veliaj.
Burime nga brenda PD bëjnë me dije se deputetët e partisë në qarqet ku nuk ka zgjedhje, do të angazhohen në fushatën në Tiranë. Strategjia synon mbulimin e çdo njësie të kryeqytetit nga një deputet opozitar, për të maksimizuar përpjekjet në terren dhe për të forcuar mesazhin politik kundër shumicës.
PD po përpiqet të kapitalizojë momentin e pakënaqësisë qytetare dhe të përçojë mesazhin e bashkimit opozitar, përkundër përçarjeve të brendshme që e kanë ndjekur prej vitesh. Zgjedhjet e 9 nëntorit mund të shërbejnë si një test për terrenin politik, por edhe si matës real i peshës që mbajnë kandidatët dhe vetë opozita në këtë fazë të tranzicionit të saj politik.
Lini një Përgjigje