Kosova 1 Dhjetor 2023, 22:13

“15 mijë euro në dorë dhe 15 të tjera pas vrasjes”/ Naim Murseli pranon se pagoi për të vrarë gruan, në pranga edhe personi i tretë

Shkruar nga Pamfleti
“15 mijë euro në dorë dhe 15 të tjera pas
Liridona dhe Naim Murseli

Naim Murseli ka pranuar se pagoi 30 mijë euro për krimin monstruoz...

Kosova është tronditur sot nga zhvillimet e prokurorisë dhe policisë, pasi u zbulua se Liridona Murseli nuk u vra nga grabitësit, por ishte një skenar i mirëmenduar nga bashkëshorti i saj.

Naim Murseli kishte pagur një të njohurin e vet që t’i vriste gruan, teksa nuk dihen ende shkaqet që e shtynë drejt këtij krimi monstruoz.

Sipas mediave të Kosovës, ai ka pranuar se ka pagur vrasësin Granit Plava. Ai i ka dhënë atij 15 mijë euro në dorë, ndërsa i ka premtuar se 15 të tjera do ja jepte pasi të ishte kryer krimi. Por polica arriti ta kapte autorin dhe ai rrëfeu më pas se ishte paguar nga burri i viktimës.

Ndërkohë në pranga ka rënë dhe një tjetër person, i cili ka asistuar në vrasje. Sipas mediave në Kosovë, personi i tretë i arrestuar është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai është identifikuar si Kushtrim Kokalla.

Krimi i rëndë ka detyruar familjen Murseli të mbyllë dyert e shtëpisë duke mos pritur ngushëllime për vdekjen e nuses së tyre. Babai i Naimit, Shaban Murseli, ka njoftuar se e vizitat janë anuluar “për shkaqe familjare”. “Shokë dhe miq, për shkaqe familjare me keqardhje e bëjmë anulimin e të pamës. I falënderojmë gjithë pjesëmarrësit në varrim”, ka shkruar ai në Facebook.

Nga ana e saj Prokuroria ka reaguar për arrestimin e bashkëshortit të së ndjerës, Naim Murseli. Gjithashtu, njofton se është sekuestruar arma e krimit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast. Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast. Aktualisht, të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore. Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast”, njofton Prokuroria. /Pamfleti