Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbajti sot fjalën e tij në Kuvend, në ceremoninë solemne me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
Ai e cilësoi 17 shkurtin si një datë që i është shtuar kalendarit kombëtar, duke e konsideruar një arritje të rëndësishme në përfaqësimin e shqiptarëve në Ballkan dhe Evropë.
“Data e sotme iu shtua kalendarit tonë kombëtar. Më 17 shkurt u arrit një shkallë tjetër e lartë në përfaqësimin tonë në Ballkan dhe Europë”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës theksoi se kjo ditë është një moment reflektimi dhe nderimi për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit.
“Dita e sotme është përkujtim i të gjithë grave, burrave e fëmijëve që sakrifikuan gjithçka. Ata kishin dëshirë për liri. Republika është në radhë të parë institucion i lirisë. Kur bie fjala te sovraniteti, ne nuk mund të lëshojmë pe”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Kurti përmendi rezistencën paqësore të viteve ’90 dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se institucionet përkulen me nderim para dëshmorëve dhe përpiqen ta lartësojnë Republikën edhe në emrin e tyre.
Kurti u ndal gjithashtu te proceset gjyqësore në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke shprehur qëndrimin e tij lidhur me akuzat.
“Brengosemi që krerët e UÇK po akuzohen padrejtësisht se morën armët për liri. Akuzat në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Krime kundër njerëzimit ka kryer Serbia e Millosheviçit. Barazimi mes krerëve të UÇK dhe një regjimi gjenocidal është i papranueshëm”, deklaroi Kurti.
Lini një Përgjigje