Kosova27 Shtator 2023, 20:11

Akuzohet se udhëhoqi sulmin terrorist në Banjskë, Serbia mohon se Radoiçiç ndodhet në spitalin e Beogradit

Shkruar nga Pamfleti

Akuzohet se udhëhoqi sulmin terrorist në Banjskë, Serbia mohon se

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe, Petar Petkoviç, hodhi poshtë pretendimet e bëra nga ministri për Punë të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, gjendet në spitalin ushtarak në Beograd.

Sveçla gënjeu se Millan Radoiçiç është shtrirë në spitalin ushtarak në Beograd”, tha Petkoviç përmes një deklarate më 27 shtator.

Një ditë më herët, ministri Sveçla gjatë një interviste për Euronews Albania deklaroi se Radoiçiç – që ai tha se ishte udhëheqës dhe pjesëmarrës në sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit – “ka shumë gjasa që është në spitalin në spitalit ushtarak në Beograd”.

Radoiçiç është nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, që tha se shfaq Radoiçiqin e armatosur duke qëndruar në manastirin në Banjskë me një grup personash të armatosur dhe të veshur me uniforma ushtarake.

Në Serbi, vetëm ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, ka komentuar për këto pretendime, duke thënë se ajo video “duket” se nuk ishte incizuar në ditën kur ndodhi sulmi në veri të Kosovës.

Nuk kam asnjë informacion nëse [Radoiçiçi] është në atë video apo jo, vërtetë nuk e di”, tha Daçiç për Radio Televizionin e Serbisë më 26 shtator.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë.

Nga sulmet mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar. Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për sulmet në veri. Ndaj tre prej tyre, autoritetet e drejtësisë kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë./REL

radoçiç beogradi sulmi terrorist